KEDS-KESCO, lë malishevasit çdo fundjavë në terr të gjatë!

05.02.2018 17:18:08

Mirëpo, pavarësisht se kaluan katër vite nga privatizimi, keqsjellja e papërgjegjshmëria e autoriteteve të KEDS-it vazhdon me avazin e vjetër.

 Vallë, do të konsideronim pa dashje se e “meritojmë” këtë udhëheqje që në vend të dritës, na “dhuron” terrin, në vend të perspektivës, punësimit, ngritjes së mirëqenies, hapjes së shtigjeve dhe mundësisë së integrimeve, popullit të ngratë, i “dhuron” izolim dhe varfëri!

Nga Jusuf M. Bytyçi

Ndonëse kaluan 18 vjet nga lufta për Liri, dhe kur jemi në prag të përvjetorit të dhjetë jubilar të Pavarësisë së Kosovës, qytetarët e të gjitha lokaliteteve të komunës së Malishevës, po përballen me terrin e gjatë, të pothuaj çdo ditshëm. Vite më parë, qytetarët e kësaj komune, por edhe ish-udhëheqja komunale, ankohej te ish-zyrtarët e KEK-ut se po diskriminoheshin vazhdimisht në aspektin e furnizimit me energji elektrike! Nuk ka asnjë dilemë, atëherë dhe sot, energjia elektrike, mbetet “malli” më jetik, krahas ujit, prandaj mbetja e qytetarëve në terr edhe deri në dhjetë apo më tepër orë rresht, duket absurde dhe shumë fyese! Nuk po pinë më ujë arsyetimet bajate e banale se “ka dëmtime shtyllash, të rrjetit në këtë apo iks fshati apo trafostacioni. Shumë kanë besuar, kanë duruar dhe heshtur konsumatorët, duruan edhe kur iu fryen faturat, edhe kur iu faturuan shpenzimet e qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët ende nuk e njohin shtetin e Kosovës! Duruan, besuan dhe heshtën edhe kur iu tha se pas privatizimit të pjesës dërmuese të KEK-ut, distribucionit, qytetarët do të kenë energji të bollshme elektrike, vetëm se duhej paguar faturat e KEDS-it! Mirëpo, pavarësisht se kaluan katër vite nga privatizimi, keqsjellja e papërgjegjshmëria e autoriteteve të KEDS-it vazhdon me avazin e vjetër. Qytetetarët janë më shumë në terr, me drita qirinjsh e zhurmë gjeneratorësh((kush i ka kushtet)se sa me rrymë! Fatkeqësisht, kjo gjendje e padurueshme po vazhdon edhe gjatë këtij fillim viti dhe pavarësisht se aty-këtu në fshatra janë bërë investime në rrjetin e tensionit të lartë, si dhe atë të ulët, edhe me shtylla betoni dhe njehsorë llogaritës nga distanca, jo transparent për konsumatorët. Terri i gjatë në shumë fshtra të komunës së Malishevës, i rëndomtë në çdo fundjavë, pa ndonjë arsyetim, vazhdoi edhe dje dhe sot, këtë fundjavë, me thashethemet banale “defekt” në dorzën ndërprerëse të trafos kryesore në Malishevë, që lanë në terr mijëra banorë të linjës së Dragobilit, Astrazupit, Maxharrës, Shkozës, Jançistit, Maralisë, Pagarushës, Guriçit etj. Është më shumë se absurde, kur një defekt, jo aq serioz, të mos rregullohet as pas tetë a më shumë orësh! Ngjashëm terr të gjatë të enjten e të premten përjetuan edhe mbi 6 mijë banorë të Banjës, së kryetarit të komunës së Malishevës, Ragip Begaj e të zëvendëskryeministrit F. Limaj. Është fyerje për qytetarët që saherë që mësyejnë fshatin, vendlindjen për pushimin e fundjavës, të ndeshen me terrin e pakuptimtë në vitin e 18-të të Shekullit XXI(21)! Terr edhe 18 vjet pas luftës, në prag të shënimit të përvjetorit të dhjetë jubilar të Pavarësisë së Kosovës! Ndoshta nuk është diçka e jashtëzakonshme, pasi shteti udhëhiqet nga udhëheqës të padijshëm, arrogantë, të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm, përfitues në çdo situatë të palakmueshme! Populli me të drejtë dyshon edhe në pronarët faktikë të aseteve të privatizuara, respektivisht në procesin jo transparent të privatizimit në Republikën e Kosovës. Në këtë gjendje të pashpresë se do ta “mundim apo mbijetojmë” më shpejt terrin, do të konsideronim pa dashje se e “meritojmë” këtë udhëheqje që në vend të dritës, na “dhuron” terrin, në vend të perspektivës, punësimit, ngritjes së mirëqenies, hapjes së shtigjeve dhe mundësisë së integrimeve, popullit të ngratë, i “dhuron” izolim dhe varfëri! Uroj që kjo gjendje ta ketë fundin sa më parë, pasi drita dhe uji janë kushtet më elementare për jetë