KEK-u shkatërron shëndetin e banorëve të Obiliqit: Këtë vit shënohen 12 mijë raste të fëmijëve të sëmurë

28.10.2017 21:38:04

Në Qendrën kryesore të Mjekësisë familjare në Obiliq, gjatë vitit 2017, si pasojë e ajrit të ndotur, janë regjistruar 12 mijë raste të vizitave mjekësore – vetëm nga fëmijët. Ndërsa, 87 mijë është numri i përgjithshëm i rasteve që janë paraqitur në këtë Qendër brenda këtij viti për shkak të ndotjes në nivel të lartë që ka ajri nga termocentralet e KEK-ut.

Sipas mjekëve, pacientët po ballafaqohen me sëmundje të ndryshme, si kanceri i mushkërive, sëmundjet kronike dhe sëmundjet e organeve të frymëmarrjes.

Drejtori i QKMF-së, Haki Jashari, duke folur për Tribuna Channel ka thënë se në krahasim me vitet e kaluara, viti 2017 ka pasur rritje të theksuar të pacienteve.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, ka thënë se sidomos në Termocentralin Kosova B, vlerat e ndotjes janë shumë të larta. Ai thotë se tejkalimi është enormë gjatë çdo muaji – deri në dhjetë fish.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Obiliqit, Arben Berisha, vlerëson se gjendja mjedisore në këtë komunë nuk është aspak e mirë, por shpreson se me implementimin e Ligjit për Obiliqin gjendja do përmirësohet dhe kjo komunë do ketë beneficione.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përmes Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit, ka paraparë që në vitin e ardhshëm do të merren masa drastike, dhe që qymyri do të ndalohet fare për shfrytëzim. Por, deri atëherë banorët e kësaj ane do të ballafaqohen me probleme të ndryshme shëndetësore.