Kelmendi: Ka ardhur koha që PDK-ja të shkojë në opozitë

03.05.2017 18:45:20

Sipas publicistit të njohur, Adriatik Kelmendit, ka ardhur koha që PDK-ja të shkojë në opozitë. Ai për këtë i ka përmendur disa arsye.

“Veseli s’ka se si të flasë për fillim të ri, në qoftë se nuk ia pranon së pari vetes e edhe qytetarëve të vendit se cilat kanë qenë të metat e dëmet e shkaktuara vendit nga pararendësi i tij, Hashim Thaçi”, shkruan nder tjerash Kelmendi.

Postimi i plotë në Facebook:

PDK-së i janë pjekur kushtet që të dalë në opozitë, pas zgjedhjeve të ardhshme.

Për të mirën e Kosovës, gjithsesi, por edhe për të mirën e vetë PDK-së.

Njëjtë siç shihet PDK-ja nga një pjesë e shoqërisë si kapëse e disa institucioneve të shtetit, ashtu duket e kapur edhe PDK-ja nga individë të caktuar brenda vetes.

Derisa disa nga ministrat kryesisht janë mbajtur mirë dhe ka jo shumë kritika për ta, njësoj nuk mund të thuhet për një pjesë të deputetëve, një pjesë të kryetarëve të komunave, një pjesë të zëvendësministrave.

Ironia më e madhe këtu është se individët që i mbajnë ose kanë mbajtur këto poste institucionale nga PDK-ja, kanë qenë njëkohësisht shpesh edhe mbledhësit më të mëdhenj të votave për partinë.

Dhe si të tillë, ata edhe kanë shantazhuar, kanë kërkuar që të kenë ndikim, herë formal e herë joformal, edhe në strukturat e partisë e edhe në strukturat qeverisëse.

Siç dihet, në mesin e tyre ka të dënuar për vrasje e zhvatje, ka të akuzuar për falsifikime vendimesh gjyqësore e pronash, të akuzuar për afera korruptive, të dyshuar për përfitime pozitash e pronash në mënyrë të paligjshme, ka të dyshuar për falsifikime diplomash e të tjera të ngjashme.

Veseli s’ka se si të flasë për fillim të ri, në qoftë se nuk ia pranon së pari vetes e edhe qytetarëve të vendit se cilat kanë qenë të metat e dëmet e shkaktuara vendit nga pararendësi i tij, Hashim Thaçi. Se nëse sipas Veselit gjithçka do të ishte në rregull me qeverisjen e deritashme të PDK-së, atëherë do të duhej të ishte “vazhdojmë” dhe jo “fillim i ri”.

Pa kaluar në një catharsis të thellë, një pastrim, një distancim dhe ndëshkim për individë e veprime brenda PDK-së, s’mund të flitet për “fillim të ri”. Kjo vështirë të ndodhë me një PDK që vazhdon të jetë në pushtet. Çfarëdo eksperimenti që bëhet me përbërës të njëjtë s’ka se si të ketë rezultate ndryshe.

Për këto arsye, “fillimi i ri” më tepër i ngjan një “hajgareje të vjetër”. Gjithsesi, të hidhur!