Kelmendi pa medalje në Botëror

29.08.2017 19:50:40

Befasi e madhe në Botërorin e xhudos në Budapest. Ndodhi ajo që askush nuk e priste. Majlinda Kelmendi nuk ka arritur të kalojë në finale të kampionatit botëror të xhudos në kategorinë deri 52 kilogramë. Kampionia e dyfishtë botërore humbi në Budapest nga japonezja, Ai Shishime dhe kështu humbi mundësinë e artë që të kompletojë het trikun duke fituar tri herë kampionatin botëror. U desh të shkohej në Golden Score për të kuptuar finalisten dhe pas një lufte interesante që zgjati në total 8 minuta e 30 sekonda në fund fitoi Shishime me të cilën Majlinda po përballej për herë të parë. Ai Shishime më pas fitoi edhe finalen kundër bashkëkombases së saj, Natsumi Tsunoda duke fituar titullin e kampiones së botës.

Se e marta nuk ishte dita e Majlinda Kelemendit u pa edhe në luftën për medaljen e bronztë kur xhudistja nga Peja u mposht nga braziliania, Erika Miranda duke mbetur duarthatë në Botërorin e xhudos në Budapest.

Kampionia olimpike nga Peja rrethin e parë e kishte kaluar pa luftë kurse në atë të dytë e kishte mundur azerbajxhanasen, Nazakat Azizova. Kelmendi në rrethin e tretë e kishte mundur finalisten e Olimpiadës, italianen, Odette Giuffrida, derisa në çerekfinale mundi francezen, Amandine Byshar.

Të martën në Botërorin e Budapestit kishte garuar edhe Distria Krasniqi e cila garonte gjithashtu në kategorinë deri 52 kilogramë dhe shpresohej se mund të kishim një finale krejt kosovare. Megjithatë xhudistja e re kosovare humbi luftën për medaljen e bronztë nga braziliania, Erika Miranda me repesazh.

Nesër Kosova garon me dy xhudistë tjerë në Budapest. Për medalje do të luftojnë, gjakovarja, 25 –vjeçare Nora Gjakova dhe në kategorinë e meshkujve, Akil Gjakova.