Kelmendi: Veseli më afroi tek PDK, dua ta ndihmoj në misionin e tij kundër korrupsionit

17.09.2019 21:58:06

Migjen Kelmendi në intervistën për lajmi.net ka folur edhe rreth aderimit të tij në PDK dhe aktivizimit në skenën politike.

Kelmendi në intervistën për lajmi.net ka thënë se vendimi për aktivizim në politikë ka qenë i vonë.

Ai tha se është aktivizuar për t’i ndihmuar tani shefit të partisë, Kadri Veselit në misionin e tij kundër korrupsionit dhe misionin e tij për ta reformuar partinë.

“Unë nuk e kam pasur ndërmend të aktivizohem direkt në politikë. Ky vendim është marrë para 10 ditësh. Kam menduar që eventualisht mund të jem në nivelin e konsulencës t’iu ndihmoj diçka. Unë mendoj që z.Veseli ka nevojë dhe e meriton me i ndihmua në misionin e tij në luftën kundër korrupsionit dhe misionin e tij për ta reformuar Partinë Demokratike dhe t’iu prijë proceseve finale të projektit shtet-formues”, tha Kelmendi për lajmi.net.

Më tutje, Kelmendi është shprehur se ka zgjedhur PDK-në për arsye se ka parë guxim, kapacitet dhe është parti e dëshmuar e proceseve të shtetit.

Sipas tij, PDK ka njerëz të dëshmuar, patriotë, që kanë kapacitet, guxim e largpamësi për ta rrumbullakuar sipas tij, projektin shtet-formues të Kosovës.

“Neve na duhet një parti që ka guxim, ka kapacitet, një parti e dëshmuar në momentet e mëdha të Kosovës si shpallja e pavarësisë dhe formimi i shtetit dhe jemi diku tre hapa prej fundit dhe në këtë kontekst na duhen njerëz të dëshmuar, se janë patriotë, se kanë kapacitet e guxim dhe largpamësinë e duhur për ta rrumbullakuar projektin shtet-formues të Kosovës”.

Kelmendi ka folur edhe rreth takimit të tij me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetar i PDK-së, pasi ka vendosur të jetë pjesë e kësaj partie.

Kelmendi tha se janë takuar rastësisht dhe se nuk kanë diskutuar rreth aderimit të tij, duke shtuar se Thaçi ishte më i interesuar rreth dialogut.

Ai tha se personi i cili e ka afruar me PDK-në, është Kadri Veseli.

“Jemi parë rastësisht dhe natyrisht kemi biseduar vetëm shkurt, nuk e kisha ende finale vendimin. Jo, nuk ish shumë i interesuar, ai është veç i orientuar nga dialogu, procesi, më tepër i fokusuar andej. Personi që më ka ngrohur dhe më ka afruar me PDK-në në esencë, quhet Kadri Veseli”.

Kelmendi ka folur gjithashtu edhe për Prishtinën, listën e Partisë Demokratike të Kosovës, proceset e mëdha të Kosovës dhe shumëçka tjetër që mund t’i ndiqni në intervistën e plotë të tij: