Këngë malli për Marku Ponen/ Poezi nga Petrit Ruke

10.07.2019 09:53:49

Iku dhe Maku,
shtohen të vdekurit e mi, u bënë një batalion
dhe netëve mësyjnë në kujtimet e mia, 
ashtu të lagur nga ujra varresh,
që nuk mbyllen dot kurrë
me asnjë kyç të shurdhët harrese…

Ja edhe Maku…! Iku dhe erdhi sërish, krejt ndryshe,
jo si poet, si inxhinier, si dramaturg,
po me rrobat e babait tim,
me qillotat e tij pranë zjarrit
si asaj nate dimërore në Turanin e largët
pas lajmit që kish marrë se isha sëmurë…

Qesja prej letre i ish grisur rrugës
dhe pesë portokallet për mua
i kish në xhepet e xhaketës
si pesë granata dore
që mund të hidhnin në erë
tërë varfërinë tonë proverbiale.

Tani aty rri
në qoshen e djathë pranë sobës me dru mali
me rroba qesharake prej shajaku
që vijnë era gëlqere,
pi raki dhe fol për Eseninin
për vjershat e mia prej mësuesi të veremosur
dhe ha bukë misri.

Jashtë bie një shi i çmendur
e unë nuk të lë të ikësh më nga Turani,
edhe po vdiqe këtu
je me fat, myzeqari im,
se nëna është gjallë e të vajton me ligje labe…

Tani vazhdo, më fol për Moskën
ma recito rusisht Eseninin, Anna Akhmatovën,
Fol ç’të duash se sot asnjë spiun i çmendur
nuk e kapërcen dot gardhin,
nga që e kemi zgjidhur qenin…
………..

Maku,
ke ftohtë akoma
a t’i hedhim edhe ca dru të tjera zjarrit?