Këpucë nga Kosova për ushtrinë e policinë serbe

17.10.2016 22:25:43

Drejtori i fabrikës “Obuca” në Beograd, ka ardhur në Suharekë që të blejë këpucë e çizme që prodhohen në fabrikën kosovare “Solid”.

Edhe pse Misinoviq nuk dëshiron të deklarohet se këto mbathje janë të dedikuara për Policinë dhe Ushtrinë e Serbisë, ai pranon se janë të dedikuara për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shtetit të tij.

“Mallrat e ‘Solidit’ janë shitur mirë në tregun tonë. Nuk kisha pasur dëshirë që të politizohet çështja, por mund t’iu them se mallin të cilin do ta blejmë është i dedikuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thotë Misinoviq.

Po ashtu edhe drejtori i fabrikës së këpucëve në Vrajë, Radir Novkoviq, bën shpesh porosi për këpucë në këtë fabrikë në Kosovë.

“Menjëherë pas luftës ne kemi nisur bashkëpunimin me fabrikën Solid. Në fillim e kishim pak të vështir për shkak të rrethanave të pasluftës, por që nga atëherë e deri më sot kemi qarkullim vjetor prej 500 mijë eurosh dhe jemi shumë të kënaqur me mallin nga Kosova”, thotë Novkoviq për RTK.

Ndërsa pronari i kompanisë “Solid”, Shefqet Kuqi, thotë se kanë pasur bashkëpunim para luftës, por ishin rrethanat që e ndërprenë bashkëpunimin.

“Unë kam pasur bashkëpunim para luftës, por për shkak të luftës nuk ka ardhur deri tash. Deri më tani kanë marrë këpuca përmes një italiani, është dashur një italian që të na ndërmjetësoj dhe të na njoftojë”, ka thënë pronari i kompanisë “Solid”.