Kërcënimi i Gjuriqit paralajmërim për skenarë ukrainas në Kosovë?

26.12.2016 15:11:35

Nga Rexhep Kastrati

Pak ditë më parë, Aleksandër Vulin kërkoi që të rrëzohet Qeveria në krye me kryeministrin Mustafa, kurse sot pasuesi i tij, marko Gjuriq kërcënoi se do ta themelonte Serbia Asociacionin dhe ajo do të caktojë edhe kompetencat e tij. Dhe ndërmjet dy kërcënimeve një pornotal i gjuhet më qafë kryeministrit Mustafa në kontekst të luftës speciale që milingonat e BIA-s janë duke e zhvilluar që disa kohë. Në këtë mënyrë po bëhet e qartë se Serbia dhe milingonat e saj në Kosovë do t’i heqin maskat dhe do të angazhohen drejtpërdrejt dhe hapur kundër institucioneve të shtetit të Kosovës. Dhe e tëra në funksion të skenarëve ukrainas në Kosovë, përkatësisht në funksion të aneksimit të veriut të Kosovës nga ana e Serbisë. Gjatë tërë kohës që nga viti i kaluar kam shtruar dhe kam argumentuar tezën se Serbia nuk do Asociacion në Kosovë, por do së paku një “Republika Srpska”, ose edhe skenarë ukrainas për aneksimin e veriut të Kosovës, dhe se angazhimet e sektës okulte të Albinit dhe në përgjithësi të dy linjave: të Tiranës/Kretës dhe të asaj udbasho-jugosllavokomuniste kundër Asociacionit janë angazhime për zbatimin e skenarëve serbo-rusë për  ndarjen e Kosovës, apo për krijimin e një “Republika Srpska”. Në këtë kuptim, edhe retorika pseudopatriotike  gjoja në emër të sovranitetit apo të integritetit territorial  të Kosovës dhe e shpalljes së tradhtarëve ishte retorikë si e kohës së luftës dhe pas saj që bëhej ndaj presidentit Rugova dhe ndaj LDK-së, e që doli të jetë retorikë e milingonave të BIA-s, pra e atyre që njëri-tjetrin po e quajnë udbashë. vetëm pak ditë më parë, në Kuvendin e Kosovës u zbuluan disa milingona të BIA-s, e të cilat desh e kallën Kosovën dhe po përgatiten për ta bërë këtë që në fillimet e vitit që po vjen. Në këtë kuptim, duhet të jetë e qartë se gjithçka po bëhet në bazë të një bashkërendimi të plotë, në bazë të provokimeve perfide për të nxitur polaritet dhe acarim të gjendjes në Kosovë. Dhe kur kam thënë se viti 2017 do të jetë vit dinamik dhe me dhunë të shtuar ndaj institucioneve dhe bllokime të tyre, shantazhe dhe provokime të rënda, kam pasur parasysh edhe këto, dhe jo vetëm.