Kërkimfalja e Trump ndaj Serbisë nuk lidhet me Kosovën, por me Clintonët

13.10.2016 19:10:41

Analisti politik, Artan Muhaxhiri ka thënë se kandidati për President të Amerikës, Donald Trump, është politikan që nuk ka njohje elementare të politikës së jashtme.

Këto komente ai i ka bërë duke folur për kërkimfaljen e Trump drejtuar serbëve, për bombardimet e vitit 1999, njofton Klan Kosova.

Sipas Muhaxhirit, këto deklarata nuk kanë të bëjnë aspak me bindjet e tij për rajonin, por janë krejtësisht pjesë e fushatës së Trump ndaj kundërkandidates Hillary Clinton.

“Donald Trump nuk është politikan i zakonshëm. Bile, vështirë se mund të konsiderohet politikan. E ka treguar gjatë kësaj periudhe se di të bëjë deklarata krejtësisht të pabazuara”.

“Kërkimfalja ndaj Serbisë është deklaratë që nuk ka lidhje me realitetin, sepse krimet që i ka bërë regjimi serb janë dëshmuar dhe dënuar institucionalisht. Kjo deklaratë e tij është mohim i realitetit të ndodhur në Ballkan”.

“Në esencë, ajo nuk është thënë as për Serbinë, por ka lidhje me Clinton-ët”.

“Trump është në ofensivë totale ndaj Hillary Clinton, prandaj i kundërshton ashpër të gjitha projektet e saj dhe të Presidentit Bill Clinton, kurse Kosova është historia më e suksesshme e politikës së tij të jashtme”.

Ai ka deklaruar se është i habitshëm fakti që një njeri me njohjet e Trump të jetë kandidat për president të shtetit më të fuqishëm në botë.

“Trump është përjashtim nga e gjithë tradita e mirë e Partisë Republikane. Është e pabesueshme sesi një person me këtë nivel të dijes dhe vetëdijes politike, me pozicionime diskrimuese dhe , të bëhet kandidat presidencial”.

“Ai është dele e zezë në historinë e republikanëve dhe nuk është e rastësishme që pjesa më e madhe e sferës publike amerikane dhe mediave janë haptas kundër tij”, tha ai në Info Magazine.

Muhaxhiri ka theksuar se, për bindjen e tij, nuk ka gjasa që Trump të bëhet president i SHBA-së. Por nëse, me ndonjë çudi të madhe, do të ndodhte një përmbysje, botën do ta prisnin ditë aspak të lehta.

“Jam absolutisht i sigurt se ai nuk mund të fitojë, sepse ka një front të gjerë anti Trump. të paparë ndonjëherë në garat presidenciale amerikane”.

“Por, nëse eventualisht, me ndonjë çudi të madhe thyhet logjika e normalitetit dhe ndodh e kundërta, do të ketë kaos në politikën e brendshme dhe të jashtme amerikane. Kjo pasi ai nuk ka dije elementare për mënyrën e funksionimit të politikës”.

“Ky do të ishte një ferr për politikën amerikane, por edhe botën do ta priste një periudhë shumë e vështirë, pasi Amerika është faktori kryesor global i stabilitetit, e jo i destabilitetit”.

“Jam i bindur se kjo nuk do të ndodhë, sepse – me të drejtë – shumica dërrmuese janë kundër tij”.