Kërkohet arrestimi i bosit të “Samsung”, kjo është arsyeja

16.01.2017 16:11:43

Një prokuror në Korenë e Jugut po kërkon arrestimin e trashëgimtarit të markës prestigjoze “Samsung”, Lee Jae yong, i akuzuar për ryshfet, përvetësim dhe dëshmi të rremë.

Çështja lidhet me të njëjtin skandal ku ishte përfshirë edhe presidentja e vendit, Park Geung-hye. “Samsung” akuzohet se ka dhënë donacione për organizata jofitimprurëse të menaxhuara nga një e afërt e presidentes Park, në këmbim të favoreve qeveritare.

Tashmë i takon Gjykatës së Rajonit Qendror të Seulit të vendosë nëse do të lejojë apo jo lëshimin e urdhër-arrestit. Nëse kjo ndodh, Lee do të jetë drejtuesi i parë që do të arrestohet në lidhje me skandalin.

Aktualisht ai është nënkryetar i “Samsung Electronics”, por që kur babai i tij Lee Kun-hee pësoi një atak kardiak në vitin 2014, ai konsiderohet de fakto bosi i të gjithë konglomeratit. Javën e kaluar Lee u mor në pyetje për më shumë se 20 orë në zyrën e prokurorit në Seul.

“Samsung” është kompania më prestigjoze e Koresë së Jugut dhe shitjet e saj janë të barazvlefshme me një të pestën e GDP-së së vendit.

Një zëdhënës i prokurorit deklaroi se, zyra e tij është në dijeni të faktit se arrestimi i zotit Lee mund të dëmtojë grupin, “por në një kohë kur gjendja ekonomike e vendit është më e rëndësishme, drejtësia ka përparësi”.