Kërkohet dënim më i lehtë për të dënuarin për vrasjen në klubin ‘Amsterdam’

04.04.2018 23:29:15
Gjykata e Apelit e ka shqyrtuar sot ankesën në lidhje me një përleshje e cila kishte ndodhur në klubin “Amsterdam”, ku si pasojë ka humbur jetën Luan Bektashi.

Prokuroria e akuzon Gent Selimin për vrasjen e Luan Bektashit ndërsa Isuf Drejiqi dhe Besim Ahmeti akuzohen për pjesëmarrje në rrahje.

Në lidhje me këtë rast Gjykata Themelore në shqyrtim gjyqësor pas administrimit të provave kishte shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarin Gent Selimi e ka gjetur fajtor për veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim prej 11 vjetësh ndërsa dy të akuzuarit e tjerë Isuf Drejiqin dhe Besim Ahmetin i ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muajve.

Në lidhje me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë kanë parashtruar si Prokuroria ashtu edhe mbrojtja.

Sipas ankesës së bërë në Gjykatën e Apelit, Prokuroria Themelore pretendon se në rastin konkret i akuzuari Gent Selimi është dashur që të shpallet fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë për të cilën edhe është akuzuar andaj ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe i njëjti të shpallet fajtor për vrasje të rëndë kurse për dy të akuzuarit e tjerë ka propozuar që t’u shqiptohen dënime më të rënda.

Ankesë ka ushtruar edhe mbrojtja e të akuzuarit Gent Selimi, avokatja Sadije Mjekiqi, e cila pretendon se me rastin shpalljes së aktgjykimit për të mbrojturin e saj Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas avokates, Gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme që argumentojnë faktin se i mbrojturi i saj veprimin e ka kryer me dashje. Madje, sipas saj ka pasur prova të mjaftueshme të cilat provojnë se i mbrojturi i saj ka vepruar me mbrojtje të nevojshme.

Në ankesën e paraqitur pranë Gjykatës së Apelit, avokatja Mjekiqi po ashtu përmend edhe gjendjen psikike të të mbrojturit të tij me rastin e kryerjes së kësaj vepre, për të cilin thotë se ka vepruar në bazë të tronditjes së rëndë psikike të shkaktuar nga goditja në kokë me dru nga ana e tashmë të ndjerit Luan Bektashi dhe se për këtë shkak i mbrojturi i saj veprën e ka kryer nën efekt të tronditjes së rëndë mendore.

“Që nga fillimi kam pretenduar se klienti im nuk ka dashur të lëndojë asnjeri. Edhe nga CD-ja është parë hapur se ky nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Ka qenë më i riu nga gjithë grupi, as nuk ka thy as nuk ka derdhë por e ka zënë lama si thonë”, u shpreh avokatja Mjekiqi.

Avokatja deklaroi se para se pronari i lokalit tashmë i ndjeri t’ua tërhiqte vërejtjen dhe t’i nxirrte jashtë të akuzuarit, klientin e saj e kishin goditur me dru në kokë, siç ishte shprehur edhe vetë i akuzuari “sytë xixa më kanë qitë”, fakt për të cilin tha se e mbështet edhe me prova nga raporti mjekësor.

Sipas avokates në dalje e sipër klienti i saj e ka marrë thikën që e ka parë në banak dhe te dera e ka gjuajtur në grumbull të njerëzve që i kanë ndjekur e që nuk i ka njohur asnjërin, pa pasur ndonjë qëllim konkret që dikë ta therë me të por që kjo thikë e kishte goditur tashmë të ndjerin Luan Bektashin, i cili më pas kishte ndërruar jetë.

Por sipas avokates klienti i saj këto veprime i ka ndërmarrë pa dashje por si pasojë e goditjes dhe për shkak të mbrojtjes së nevojshme.

Ajo gjithashtu tha se nga praktika gjyqësore nuk njeh raste që në lidhje me veprën penale të lëndimit të rëndë trupor të shqiptohet një dënim kaq i lartë andaj kolegjit të Gjykatës së Apelit i kërkoi që ta aprovojë si të bazuar ankesën e saj dhe të vlerësojë drejt dhe në mënyrë objektive rrethanat kundrejt klientit të saj në atë mënyrë që t’ia zbresë dënimin për aq sa ka mundësi në bazë të rregullave ligjore.

Kurse vetë i akuzuari Gent Selimi në fjalën e tij tha se e mbështet në tërësi fjalën e avokates së tij, duke shtuar se ndjen keqardhje për rastin e ndodhur me ç’rast familjes së të ndjerit i shprehu ngushëllime për vdekjen e Luan Bektashit.

Në bazë të aktakuzës, në natën kritike të 30 marsit të vitit 2013, në klubin “Amsterdam” në lagjen Emshir, Gent Selimi ka privuar nga jeta tani të ndjerin Luan Bektashi.

Pas një mosmarrëveshjeje kishte filluar përleshja në mes të dy grupeve, me ç’rast ka arritur deri tek vdekja e tani të ndjerit Bektashi.

I akuzuari Selimi, sipas aktakuzës, ka sulmuar me thikë tani të ndjerin Bektashi, ku si rezultat i ka prerë arterien, venën femorale të majtë dhe degët e tyre regjionale, prerje këto të cilat janë shoqëruar me gjakderdhje masive dhe shok hemorragjik.

Prokuroria pretendon se Luan Bektashi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkaq, dy të akuzuarit e tjerë, Drejiqi dhe Ahmeti, sipas aktakuzës, fillimisht kanë hedhur gota, shishe, karrige e tavolina, kështu duke e prishur rendin dhe qetësinë.