Kërkohet edhe një muaj kohë për votim, priten ndërhyrje në planifikimet buxhetore

12.02.2020 21:57:30

Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars.

Kjo kërkesë siç duket është pranuar në heshtje nga Kuvendi i Kosovës pasi në seancën plenare që do të mbahet nesër, buxheti nuk është pikë e rendit të ditës, shkruan lajmi.net.

Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të ketë seancë plenare për formimin e komisioneve parlamentare.

Pikë e vetme e rendit të ditës është: Shqyrtimi i Propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Siç duket kërkesa për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për edhe një muaj do të shkojë në funksion të ndërhyrjes në buxhetin e propozuar nga qeveria e kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën dhënë për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se gjatë kësaj jave fokusimi do të jenë i përqendruar te Projektligji për buxhetin 2020, krahas çështjeve tjera, si plani i punës së qeverisë, programi qeverisës dhe fuzionimi i ministrive sipas marrëveshjes për koalicion qeverisës, e cila e redukton numrin e ministrive, nga 21 në 15 sosh.

E krejt para formimit të qeverisë, Kurti nëpërmjet një postimi në Facebookun e tij kishte thënë se buxheti duhet të ndryshojë.

“Është e vërtetë se në Kosovë duhet të ndërrojë Qeveria sepse duhet të ndryshojë buxheti: të hyrat dhe shpenzimet, planifikimi dhe realizimi i këtyre, gjithnjë në dritën e një vizioni zhvillimor socio-ekonomik për të ardhmen, e jo nën hijen e një administrimi dembel për mbijetesë në tashmen”, ka shkruar Kurti.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu thotë se nuk sheh ndonjë rrezik nga vonesa për votimin e buxhetit.

Ai është shprehur se buxheti do të diskutohet dhe do të riorientohen mjetet.

“Ndoshta është ngritur panik, por mendoj se është vendim shumë i matur dhe i qëlluar, edhe pse buxheti është planifikuar nga një qeveri tjetër ku prioritet kanë qenë infrastruktura dhe tendermania. Kuptohet që një qasje e tillë nuk mund të pranohet padiskutuar nga kabineti i ri qeveritar. Fakti që kemi një muaj kohë për analizimin e buxhetit është pozitive për shtetin dhe për qytetarët. Është qasje e re që duhet të mbështetet dhe besoj që do të jetë buxhet që do të votohet për të mirën e qytetarëve”, tha Gërxhaliu.

Ai është shprehur se beson që fundi i marsit është afati i fundit kur do të votohet buxheti.

“Unë dua të besoj që fundi i marsit është data e fundit, por unë besoj se buxheti do të miratohet shumë më herët dhe besoj që do të ketë riorientim të mjeteve”, tha Gërxhaliu.

Mbetet të shihet se kur do të votohet buxheti dhe cilat janë ndryshimet që qeveria e re do t’i bëjë në buxhetin e hartuar nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga RamushHaradinaj.