Kërkohet përgjegjësi institucionale për vdekjen e punëtorëve në Kosovë

01.07.2018 20:40:55

Lutjet u thanë, e njerëzit kanë rënë në gjunjë. Të gjithë sot me fytyrë nga varri i njomë po aq sa i vdekuri që do të pushojë në të. Është 17-vjeçari Seldin Aliu ai të cilit qindra bashkëqytetarë të Lubizhdës së Prizrenit, miq e familjarë, po i japin lamtumirën.

Ai humbi jetën tragjikisht dje në mesditë në vendin e tij të punës. I mituri kishte dy javë që kishte filluar punën në fabrikën e stiroporit në fshatin Mushnikovë “Sat Styro” të komunës së Prizrenit.

Djali i vetëm i familjes Aliu me këtë punë për të cilën thuhet se ishte pajtuar të marrë një pagë prej 250 eurosh, kishte menduar t’i ndihmojë familjes për të dalë nga kushtet e varfra në të cilat ai me dy motrat më të reja dhe prindërit po jetonin.

Rreth vdekjes së tij familjarët nuk kanë dashur të flasin nga tronditja. Por akuza në drejtim të Qeverisë neglizhente për këto raste kur punëtorët humbin jetën në vend pune pati Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

“Ky është rasti më i rëndë që deri më tash në Kosovë për një punëtor në vendin e tyre të punës. Kjo është edhe më e rëndë sepse ka humbur jetën i vetmi djalë i familjes dhe ka humbur jetën në një vend të punës ku ka dashur që familjes së vet t’ia ofrojë një ndihmë sociale. Është vërtetë një rast që na ka shokuar dhe është vështirë të gjejmë fjalë ngushëllimi për familjen, punëtorët e Kosovës, por megjithatë është një mesazh për punëtorët e Kosovës që t’i thërras ju lutem ruani jetën tuaj, sepse shteti dhe pronarët e kompanive nuk po e bëjnë atë, andaj ju thërrasim që raste të tilla të mos ndodhin kurrë edhe pse e dimë që raste të tilla ndodhin në botë, por sikur ky rast as në aspektin ligjor dhe njerëzor është rast tepër i rëndë dhe nuk e di qe qeveria çfarë do t’i thotë familjes së këtij punëtori të vdekur”, ka thënë Azemi.

Tutje ai ka treguar për KosovaPress, se sipas informacioneve që deri më tani kanë si sindikatë, punëtori ka nisur të punojë para dhjetë ditësh, eventualisht dy javësh dhe nga përvoja u shpreh i bindur se nuk ka pasur kontratë pune.

“Ndoshta tash është shumë lehtë t’i bëhet një kontratë pune dhe nëse nesër e vizitojmë ata do ta kenë një kontratë, por dyshoj se ka pasur kontratë, sepse në Kosovë dihet si punohet”, tha ai duke shtuar se ligjërisht nuk lejohet puna e rëndë te personat nën moshën 18-vjeç.

“Neni 45 i Ligjit të Punës lejon që punëtorët të punojnë nën moshën 15-16 vjeçare, por duhet të punojnë punë tepër të lehta dhe ligji i punës e sanksionon shumë rreptë që punëtorët nuk guxojnë të kryejnë punë të rënda, nuk guxojnë të punojnë në ambient të mbyllur dhe punëtorët që punojnë nën moshën 18-vjeçare guxojnë të punojnë vetëm 30 orë brenda javës, kurse në rastin e tillë ai faktikisht ka punuar tërë javën dhe ka punuar edhe të shtunën e cila ka bërë një ngarkesë psikike dhe ka ardhur deri te rasti”, ka thënë kryetari i Sindikatës Jusuf Azemi.

Ndërkohë që policia ka bërë të ditur se Aliu kishte rënë në një makinë të përpunimit të stiroporit në ditën tragjike, Azemi thotë se janë në pritje të organeve të policisë që të dalin me vendimin e tyre, ndërkohë që e pranon se punëtorët tjerë ku ndodhi rasti tragjik hezitojnë të flasin.

Sa i përket asaj nëse është dashur të arrestohet pronari i fabrikës lidhur me rastin, Azemi thotë se kjo është çështje e policisë dhe inspektoratit të punës.

“Unë mendoj se të vdesë një person 16-17 vjeçar në kuadër të një kompanie dikush duhet të jetë përgjegjës”, shprehet ai.

Lidhur me masat që do të ndërmarrë sindikata pas këtij rasti, Azemi tha se do ta mbështesin anën ligjore që kjo familje të ketë mbështetje financiare.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka konfirmuar përmes përgjigjeve me shkrim për KosovaPress se janë duke hetuar rastin si aksident në vend pune.

“Është kontaktuar edhe Inspektorati i Punës për të dalë në vendin e ngjarjes dhe për të konstatuar se a janë respektuar ligjet adekuate sa i përket marrëdhënies së punës dhe kushteve të punës në përgjithësi. Viktima është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Kryeziu.

Prokurori po ashtu tha se policia nën mbikëqyrjen e Prokurorisë, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të konstatuar gjendjen faktike në rastin konkret, ndërkohë që nuk ka persona të ndaluar apo të dyshuar konkret.

“Sa i përket pyetjes lidhur me pronarin e fabrikës ku ka humbur jetën 17- vjeçari, mund t’ju informoj se nga informatat që ka Prokuroria, i njëjti gjendet në botën e jashtme. Po ua rikujtoj që po flasim për fazën fillestare të hetimeve dhe varësisht nga provat e siguruara nga Policia dhe nga raporti i Inspektoratit të Punës, Prokuroria do të veprojë tutje me qëllim te zbulimit të ndonjë vepre penale dhe të ndonjë kryesi eventual, varësisht nga rezultatet dhe provat e siguruara. Për këtë e presim raportin me gjetjet nga Inspektorati i punës, se ligji i punës lejon të punësohet nga 15 vjeç po janë disa kritere për punë më të lehta aty të cilët duhet t’i konstatoj Inspektorati i Punës”, tha ai.

I pyetur se çfarë masa do të merren në rast se Inspektorati konstaton shkeljet e përmendura Kryeziu ka thënë se këto masa janë të parapara me Kodin Penal të Kosovës.

“Në ato raste kur puna nuk paraqet rrezik për shëndetin apo zhvillimin e tyre, por në këtë pjesë nuk mund me u lëshuar unë në këtë fazë. Nëse ndodh kjo, atëherë prokurori i çështjes e vlerëson se për cilën vepër penale nga Kapitulli XXIX i veprave penale kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe pasurisë, bëhet fjalë. Tani për tani është herët të konstatohet diçka e tillë”, ka thënë ai.

KosovaPress ka tentuar të marrë deklaratë edhe nga menaxherët e kompanisë Sat Styro, por këta nuk janë përgjigjur dhe për më tepër nuk kanë lejuar ekipin as të xhirojnë para fabrikës ku Aliu humbi jetën.KP