Kërkuan që ta largojnë fëmijën autik nga shkolla, reagon babai i tij

07.10.2016 13:49:20

Ata që kanë një fëmijë me aftësi të kufizuar në familje, fis, fqinj apo në lagje, e kuptojnë mjaft mirë se çfarë është të gjendesh përpara një sakrifice të tillë që të përball jeta. Prindër që detyrohen t’ja përkushtojnë çdo orë dhe çdo minutë një qëllimi, fëmijës së tyre që është ndryshe nga të tjerët…

Një prind i cili nuk ka dashur të identifikohet as me emër dhe as me figurë ka bërë publik rastin e tij sot në emisionin “Me zemër të hapur”, ku ka kërkuar sensibilizim të shoqërisë që këta fëmijë të mos përjashtohen dhe të mos përçmohen. I detyruar nga kërkesa e prindërve të klasës ku ai ka djalin në shkollën “Skënder Çaçi”, që duan largimin e fëmijës autik nga shkolla, babai i ka bërë një apel atyre përmes ekranit të televizionit “News24”: “Të kërkoj sensibilizimin e opinionit publik dhe të atyre prindërve që deri diku i kuptoj,… që këta fëmijë të mos jenë të përjashtuar dhe të mos quhen budallenjtë e radhës.

Unë dje përjetova një stres të jashtëzakonshëm dhe ndaj nuk ndenja dot në mbledhje kur dëgjova që i bëhej gjyq një fëmije me autizëm, në këtë rast djalit tim, kërkoj vetëm të më mirëkuptojnë që fëmija im nuk ka asgjë me fëmijët e tyre. U arrit deri aty sa të thuhej se për një fëmijë nuk do ikin 30 të tjerë, ta rrisin në shtëpi. Këtu unë u largova se s’doja të dëgjoja më, i mirëkuptoj por…reaguan sa do shkonin në televizione ndaj zgjodha të isha unë i pari të vija këtu, kam rezervat e mia për mësuesen kujdestare dhe i ftoj miqësisht të gjithë prindërit të na kuptojnë edhe ata ne, këtë doja vetëm kaq”

Teksa ka shpjeguar edhe se djali “herë pas here shfaq shenja agresiviteti të cilat e ëma mundohet të mos ia transmetojë nxënësve të tjerë në klasë, edhe në kundërshtim me direktivat e psikologut e ëma si kur ka qenë parashkollor dhe në klasën e parë ka qëndruar në klasë, që mësimi të zhvillohet me qetësi”. Por teksa vijon rrëfimin e tij, babai shprehet se “situata ndryshoi këtë vit pasi u këshillua nga psikologu që ndjek djalin që nusja të mos rrinte në klasë se kështu djali s’mund të rikuperohej. Është bërë një mbledhje pa praninë tonë, të nesërmen shkon nusja në shkollë se në të njëjtën kam edhe vajzën në klasë të parë dhe në klasën e saj është edhe një fëmijë autik…në këtë mbledhje kërkohet heqja e djalit nga klasa dhe të çohet në një klasë tjetër. Ankesa që kishin prindërit ishte se kishte shtyrje të vogla kur ka kriza, agresiviteti që djali mund t’u grisë një fletore, por që asnjëherë nuk janë lejuar sepse ka qenë nusja prezentë në klasë, vetëm këtë vit lindi ky problem kur nuk u lejua nusja të rrinte në klasë”.

“Ligjërisht të gjitha masat merren që të heqësh një mësues dhe të vësh një tjetër, më ndihmoni të ndihmojmë njëri­tjetrin për të zgjidhur këtë problem, shkolla të mos bëhet vatër e nxitjes së diskriminimit. Ti bëj apel të fortë komunitetit të prindërve, gazetarëve ta bëjmë si kauzë duke ndihmuar ta bëjmë ligjin e ta zbatojmë, fëmija do vazhdojë në shkollë, do punohet me komunitetin e prindërve do bëjmë terapi në grup me psikologen. Fëmijës do i vihet një mësues ndihmës në klasë, do analizohet edhe shkaku për të gjetur pasojat, që nga ky rast të parandalojmë edhe të gjitha rastet e tjera që mund të na ndodhin në shkollat e Shqipërisë”.