Këshilli Grevist takohet me kryetaren e Gjykatës së Prishtinës

05.07.2018 13:47:59

Edhe sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë po vazhdon greva e punëtorëve të administratës së Gjykatave dhe Prokurorive.

Në mëngjesin e sotëm kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyçi ka zhvilluar një takim me grevistët.

Sot është dita e dytë që punëtorët administrativë të gjykatave dhe prokurorive të Kosovës po bëjnë grevë me kërkesë për rritje 100 % të pagave. Hapi i tyre për grevë erdhi pas vendimit të qeverisë me të cilin kryeministrit, ministrave dhe një pjese të stafit qeveritar i janë rritur pagat deri në 100 %. Me këtë vendim kanë përfituar edhe gjyqtarët dhe prokurorët.

Sipas burimeve të KALLXO.com ajo Këshillit Grevist u ka kërkuar që të mos bojkotojnë punën e gjykatës dhe që të mos shtyhen seancat të cilat janë me prioritet siç janë rastet për liberalizim të vizave.

Pas takimit me Kryetaren e Gjykatës Themelore, Këshilli Grevist ka mbajtur takim edhe me punëtoret e administratës.

Pas këtij takimi Kryesuesi i Këshillit Grevist, Naim Shala për KALLXO.com ka thënë se në takimin të cilin e kanë mbajtur me Kryetaren e Gjykatës ajo u ka kërkuar që të mos bëjnë shkelje të ligjit për grevën si dhe u ka kërkuar që të gjitha rastet të cilat janë me prioritet të mbahen.

“Kryetarja ka shprehë dëshirën me na vizitu në grevë dhe ka ardhur bashkë me nënkryetarin dhe me një gjyqtar të degës civile na kanë përshëndetur dhe kanë kërkuar që të jemi vigjilent në raport me ligjin mbi grevën të mos bëjmë shkelje të ligjit ka kërkuar që dera të mos mbyllet me çelës dhe që pala me ftesë duhet të lëshohen te gjyqtari sepse gjyqtari nuk është në grevë, posta të pranohet, prej të gjitha këtyre kërkesave të saja ka kërkuar edhe lëndët për liberalizim të vizave të mbahën”, tha Shala.

Pas takimit me Kryetaren, Kryesuesi i Këshillit Grevist tha se ka mbajtur edhe një takim me Këshillin Grevist si dhe me punëtoret e administratës ku unanimisht kanë vendosur që palët të lejohen brenda, dera të mos mbyllet me çelës, posta të pranohet si dhe të bëhet vulosja e të gjitha shkresave të rëndësishme për të u mundësuar palëve që t’i zënë afatet ligjore.

“Pas përfundimit të atij takimi Këshilli Grevist është ulur dhe i ka shqyrtuar kërkesat e kryetares, kemi konsideruar se nuk kemi nevojë me i acaru ose me i shkatërru marrëdhëniet në raport me kryetaren dhe stafin mbështetës dhe morëm vendim unanim që dera të mos mbyllet me çelës, posta të pranohet deri në zyrën e pranimit, të vuloset hyrja e të gjitha shkresave në mënyrë që palët ta zënë afatin, por ato shkresa të mos procedohen më tej me përjashtim të shkresave dhe postes qe janë të dedikuara për kryetaren”, tha për KALLXO.com kryetari i Këshillit Grevist.

Ai tha se greva do të vazhdoj tutje deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Greva normal që vazhdon unë i njoftova edhe punëtoret grevist me këto kërkesa dhe për vendimin e këshillit grevist dhe unanimisht hasëm në mirëkuptim qe këtë vendim që e kemi marrë është i drejtë sepse ne nuk kemi mandat as autorizim me e mbyll derën për palët qe kanë punë tek gjyqtarët.

Greva vazhdon tutje deri në plotësimin e kërkesave”, tha Shala.