Këshilli i Sigurimit diskuton sot për Kosovën

14.11.2017 10:44:48
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot debatohet për zhvillimet në Kosovë në periudhën tremujore, prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të këtij viti.

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili do të shërbejë si bazë për diskutim të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, theksohet, pos tjerash, se lavdërohen “përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ta mbajtur ambientin paqësor në periudhën e gjatë të paqartësisë politike pas zgjedhjeve legjislative më 11 qershor”.

Mëtutje, në raport theksohet se një pjesë e rëndësishme e realizimit të synimeve është edhe “progresi i qëndrueshëm në normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Në raportin e publikuar në faqen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Internet, po ashtu, thuhet se në dialogun politik Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, “kërkohet vendosmëri në përkushtim dhe pranimi se implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 2013 shpeshherë është vonuar”.

“Marrëveshjet e nivelit të lartë, ato të vjetrat dhe të rejat, kanë kuptim vetëm nëse mbështeten nga përkrahja me bazë të gjërë dhe aksion nga të dy palët”, thekson raporti.