Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet sot rreth sulmit kimik, nuk përjashtohet veprimi ushtarak

09.04.2018 17:39:01

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë një veprim ushtarak kundër Sirisë, pas komenteve të Presidentit Donald Trump se ata që ndërmorën sulmin kimik të së shtunës do të paguanin një çmim të lartë.

“Gjëja e parë që duhet të shqyrtojmë është se përse ende përdoren armë kimike kur Rusia ishte garantuesi për heqjen e të gjitha armëve kimike”, tha zoti Mattis sot gjatë një takimi në Pentagon me sheikun e Katarit al-Thani.

Ai u tha gazetarëve se SHBA po “punojnë me aleatët dhe partnerët nga NATO-ja në Katar dhe gjetkë për ta trajtuar këtë çështje”.

Mbrëmë vonë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump dhe Presidenti francez Emmanuel Macron dënuan ashpër sulmet kimike në Siri dhe ranë dakord se qeveria siriane e Presidentit Bashar al-Assad duhet “të mbahet përgjegjëse për abuzimet e vazhdueshme me të drejtat e njeriut”. “Ata ranë dakord të shkëmbejnë informacion mbi natyrën e sulmeve dhe të koordinojnë një përgjigje të fortë dhe të përbashkët,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë rreth telefonatës midis dy udhëheqësve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet sot rreth sulmit të supozuar, pasi shumë vende kërkuan një seancë urgjente.