Këshilltari i Veselit: LVV dhe LDK bllokuan në vazhdimësi Rregulloren e Kuvendit, është hipokrizi pjesëmarrja e tyre në panelin e KDI-së

22.11.2019 23:12:13

Këshilltari i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Avni Bytyçi e ka quajtur hipokrizi pjesëmarrjen në panel të Albulena Haxhiut nga VV dhe Armend Zemaj nga LDK, në debatin e organizuar nga KDI, për Rregulloren e Kuvendit.

Bytyçi përmes një shkrim të bërë në Facebook ka thënë se, Haxhiu dhe Zemaj janë figurat kryesore nga dy parti që sipas tij, e kanë bllokuar në vazhdimësi kalimin e rregullores  së re në katër vitet e fundit.

“Albulena Haxhiu dhe Arben Gashi të instruktuar nga partitë e tyre janë angazhuar personalisht që të sabotojnë një pune kolektive disa vjeçare të udhëhequr nga Instituti Nacional Demokratike (NDI), e të mbështetur nga krye-parlamentari Veseli”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se draft rregullorja që është hartuar me mund të madh nga disa grupe të interesit dhe ekspert të fushave të ndryshëm, është penguar në vazhdimësi nga këto dy parti që mos të kalonte në seancë.

“Për katër vite, VV dhe LDK e kanë penguar miratimin e rregullores së re e cila do ta fuqizonte Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me rolin e saj kushtetues. Do t’i fuqizonte mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes dhe do ta bënte procesin ligjëbëres më efikas.

E tani, pas tëre asaj kohe ata po mendojnë që prania e tyre në pushtet i legjitimon ata që punën e penguar kinse ta përkrahin tani.

Por mos të harrojnë që këto parti së bashku me minoritetet nuk do t’i kenë 2/3 e nevojshme për të kaluar rregulloren pa opozitën. Ndërsa për PDK-në është e qartë se ne nuk do t’i shërbejmë bojkotuesve të institucioneve shtetërore”, vijon shkrimi i tij.