Kështu vepron Zvicra kur rritet niveli i ndotjes së ajrit

31.01.2017 12:24:33

Për shumë vende të botës, ndotja e ajrit paraqet një problem të madh, por jo të gjithë shtetet ndërmarrin masa për të menaxhuar këtë çështje. Zakonisht, shtetet më të fuqishme ekonomike janë ata që ndërmarrin hapa konkret.

Zvicra është njëri nga shtetet më të zhvilluara ekonomikisht ku janë ndërmarrë masa në këtë drejtim. Si rezultat i rritjes së ndotjes së ajrit, në disa qytete të kantonit Ticino, si në Chiasso, Mendrisio, Bioggio dhe Pregassona, janë shpallur edhe masat konkrete për të menaxhuar ndotjen e ajrit.

Nga sot, në këtë kanton, i gjithë transporti publik do të jetë falas, në autostrada dhe rrugë rajonale shpejtësia maksimale e lëvizjes do të ulet në 80 km/orë.

Si masë tjetër parandaluese e ndotjes së ajrit është zbatuar edhe ndalimi i qarkullimit të veturave të standardit Euro 3 dhe më poshtë. Pjesë e masave është edhe administrata publike, ku temperatura e ngrohjes qendrore në zyra është caktuar në 20°C.

Këto masa parandaluese të ndotjes së ajrit do t’i kushtojnë kantonit Ticino rreth 60 mijë franga në ditë, shumë kjo e siguruar që më parë, pra nuk do të ketë nevojë që të merren nga buxheti, si harxhime shtesë.

Kantoni në fjalë është një shembull mjaft i mirë se si duhet ndërmarrë hapa konkrete për të menaxhuar ndotjen e ajrit në vendet tona.