Këta janë kryetarët më të pasur të komunave kosovare

20.06.2017 18:05:40

Procedurës së deklarimit të pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion, i janë nënshturar edhe kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës.

Disa nga ta madje kanë edhe shuma të majme parash nëpër bankat vendore të cilat kapin shifrat e qindra dhe mijëra eurove.

Në këtë listë të ardhura më të majme kanë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ai i Prizrenit, Ramadan Muja.

Muja ka më shumë se 122 mijë euro në njërën nga bankat vendore, përderisa paga mujore të cilën ai e merr nga komuna nuk shkon më shumë se 18 mijë e 680 euro.

Rreth 135 mijë euro në dy banka të ndryshme, i ka edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Ai nga komuna merr mbi 15 mijë euro pagë, kurse rreth pesë mijë euro tjera i siguron nga mëditjet dhe shpenzimet.

Keq me të ardhurat në bankë nuk qëndron edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti. Ai vozit veturë e cila kap vlerën e 15 mijë eurove, kurse në bankë posedon mbi 32 mijë euro. Paga të cilën Haliti e merr si kryetar komune është 1 mijë e 149 pagë mujore.

15 mijë e 400 euro pagë vjetore merr edhe kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili ka në bankë mbi 10 mijë e 500 euro.

Veturë luksoze vozit edhe kryetari i Klinës, Sokol Bashota vlera e të cilës shkon në mbi 16 mijë euro. Kurse, vlen të theksohet se fëmijët e Bashotës kanë nëpër bankat vendore mbi 10 mijë euro para të gatshme.

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu merr pagë mujore për pozitën që e mban në vlerë 1 mijë e 197 euro. Ky i fundit në banka ka të ruajtura mbi 8 mijë euro.

Agim Bahtiri merr pagë vjetore si kryetar i Mitrovicës mbi 15 mijë e 750 euro. Kurse dy fëmijët e Bahtirit, në vit marrin mbi 336 mijë euro.

Vlera më të vogla të parave nëpër banka kanë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe kryetari më i varfër del të jetë ai i Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Ky i fundit në bankë nuk ka më shumë se 1 mijë e 400 euro.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe ai i Pejës, Gazmend Muhaxheri nuk kanë deklaruar për shumat e parave të cilat i mbajnë nëpër banka.