Këto janë fyerjet më të rënda të udhëheqësve botërorë

06.09.2016 21:22:33

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ka thënë se i vjen keq që e ka quajtur homologun e tij amerikan, Barack Obama, “Bir kurve”.

Komentet e tij kontroverse kanë shkaktuar pasoja diplomatike, teksa presidenti amerikan ka anuluar një takim të planifikuar me Duterte.

Por lideri i Filipineve, i cili ka fyer figura të shquara edhe më parë, nuk është i vetmi që ka fyer një udhëheqës botëror.

Nga një “infermiere sadiste”, tek “djalli vetë”, më poshtë janë disa nga komentet më të paharrueshme të bëra nga, ose në lidhje me njerëz me pushtet.

Arafati, “biri i 60 mijë kurvave”

Ministri i atëhershëm sirian i mbrojtjes, Gjenerali Mustafa Tlass, i njohur për gjuhën e tij “shumëngjyrëshe”, shkaktoi një grindje diplomatike me Autoritetin Palestinez, kur ai e përshkroi liderin e tij, Jaser Arafat, si “bir i 60.000 kurvave”.

Gjenerali Tlass, i cili bëri sulmin e famshëm ndaj Arafatit në një fjalim të vitit 1999, tha: “Ju duhet të thoshit në Shtëpinë e Bardhë se Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez, por në vend të kësaj, qëndruat i qetë si një mi, dhe nuk guxuat të thoni asnjë fjalë të vetme në favor të Palestinës apo Jerusalemit”. Komentet e tij shkaktuan demonstrata në Gaza, ku me mijëra palestinezë protestuan ndaj sulmit personal kundër udhëheqësit të tyre.

Në një fjalim dramatik në OKB në shtator 2006, presidenti i atëhershëm i Venezuelës, Hugo Chavez, e përshkroi homologun e tij të SHBA, Xhorxh Bush si “djall”.

“Djalli është mu në shtëpi. Djalli, vetë djalli, është mu në shtëpi. Dhe djalli erdhi këtu dje. Dje djalli erdhi këtu. Këtu. Dhe këtu mban ende erë squfur sot. Dje, zonja dhe zotërinj, nga kjo tribunë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, zotëri të cilit unë i referohem si djall, ka ardhur këtu, duke folur sikur ai ka në pronësi botën. Si pronar i botës”.

Në të njëjtën podium në vitin 2009, Chavez përshëndeti administratën e re të Obamës. Duke hedhur sytë rreth e rrotull, ai tha: “Këtu nuk ka më erë squfur. Jo, tani ka erë shpresë, dhe duhet të kesh shpresë në zemër”.

Farage dhe “lecka e lagur”

Kur një fjali fillon me fjalët “Unë nuk dua të jem i vrazhdë”, ndoshta duhet të përgatiteni për t’u ofenduar.

Nigel Farage, udhëheqës i Partisë së Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar (UKIP) në kohën e fjalimit të tij drejtuar deputetëve në Parlamentin Europian, nisi një sulm personal mbi Herman Van Rompuyn, që zgjati disa minuta.

Ai tha se presidenti i Këshillit Evropian kishte “karizmën e një lecke të lagur”.

Ai e krahasoi ish-kryeministrin belg me një “punonjës banke të gradës së ulët” dhe tha se ai vinte nga një “jo-shtet”.

Sulmi, i cili shtangu të pranishmit, erdhi teksa Van Rompuy mbajti fjalimin e tij inaugurues në parlament në Bruksel.

Berluskoni dhe rojat naziste

Bashkimi Evropian ishte zhytur në një krizë të rëndë diplomatike në vijim të shprehjes “roje naziste” të nxjerrë nga goja e ish kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi, drejtuar një deputeti gjerman.

Eurodeputetët kërcënuan se do të ndërpresin marrëdhëniet me organin e lartë vendim-marrës të BE-së, Këshillin Evropian (kryesuar nga Berluskoni në atë kohë), nëse nuk kërkohej zyrtarisht falje.

“E di se në Itali është dikush që po realizon një film mbi kampet naziste të përqendrimit”, tha Berluskoni, duke shtuar: “Unë do të të propozoj për rolin e Kapos [roje i zgjedhur nga radhët e të burgosurve] – ju do të ishit i përsosur”.

Teksa polemikat mbi komentin e tij u shtuan, përcjell bota.al, ai u përgjigj: “Unë do të përpiqem që ta zbus dhe të bëhem i mërzitshëm, ndoshta edhe shumë i mërzitshëm, por nuk jam i sigurt se do të jem në gjendje të bëj”.

Clintoni, një infermiere sadiste

Hillary Clinton mund të jetë presidentja e ardhshme amerikane. Dhe si lidere e botës së lirë, ajo do të jetë një person i dobishëm për ta patur në qoshen tuaj. Jo e njohur për sensin e humorit, ishte e pamundur që Hilari të ishte e kënaqur me këtë përshkrim nga Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

Në vitin 2007, kryebashkiaku i Londrës në atë kohë, deklaronte: “Ajo ka flokë të lyer bionde buzë të stukuara, një vështrim blu të hekurt, si një infermiere sadiste në një spital psikiatrik”. Në vitin 2016 ai tha se komentet e tij qenë “marrë jashtë kontekstit”.

Maduro: “Fute në …”

Presidenti i Venezuelës, Nikola Maduro lëshoi një seri epitetesh për kreun e Organizatës së Shteteve Amerikane, Luis Almagro. Ai e quajti “plehrë”, “tradhtar” dhe i tha: “Z. Almagro, merre Traktatin Demokratik, fute në një gyp të ngushtë dhe pastaj fute ku ta nxesh”.

Trumpi vë në dyshim nënshtetësinë e Obamës

Ai e ka fajësuar presidentin amerikan, Barack Obama për çdo gjë, që nga Brexit në rritjen e të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS), por kërkesa e Donald Trumpit për të parë certifikatën e plotë të lindjes së Obamës, shkaktoi një debat të gjatë – si dhe një varg teorish konspirative.

Miliarderi është i bindur se zoti Obama ka lindur në fakt në Kenia dhe ai i ofroi presidentit 5 milion dollarë për të zbuluar pasaportën dhe dëftesën e kolegjit.

Më vonë, në darkën vjetore me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha: “Si e dini disa nga ju, shteti i Hauait ka lëshuar certifikatën time zyrtare të lindjes. Por sot unë jam gati të shkoj një hap më tej, të nxjerr edhe videon e lindjes time”. Në ekranin që ndodhej në sallë nisën të shfaqeshin skena nga filmi “Mbreti Luan”.