Këto janë nevojat emergjente të komunave për shkak situatës së krijuar me koronavirus

09.07.2020 09:55:11

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) publikoi Studimin mbi “Nevojat emergjente dhe ndikimin socio-ekonomik të Covid-19 në pushtetin lokal në Kosovë”. Ky studim është bërë gjatë periudhës Maj-Korrik 2020.

Studimi synoi identifikimin e vështirësive të hasura nga komunat gjatë përhapjes së pandemisë COVID-19, masave të marra nga këto të fundit për të menaxhuar këtë situatë, bashkëpunimin me nivelin qendror dhe AKK-në, si dhe nevojat emergjente të komunave për të tejkaluar pasojat socio-ekonomike nga përhapja e pandemisë COVID-19.

Për qëllimin e këtij studimi, janë realizuar gjithsej 255 intervista gjysmë të strukturuara dhe tetë (8) grupe të fokusuara të diskutimit. Përderisa intervistat kanë përfshirë si kryetarët poashtu dhe drejtorët komunalë, grupet e fokusuar të diskutimeve u mbajtën vetëm me drejtorët komunalë. Studimi përfshiu 34 komunat e Kosovës, anëtare të AKK-së.

Të gjeturat kryesore të Studimit:

• Buxheti i kufizuar dhe mungesa e masave mbrojtëse siç janë maskat për fytyrë, dorëzat dhe dezinfektuesit e duarve, u përmendën si vështirësitë kryesore me të cilat u ballafaquan shumica e komunave që nga përhapja e pandemisë Covid-19. Vështirësi të tjera përfshinin mungesën e personelit mjekësor, teknologjinë për realizimin e mësimit online, ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve të caktuara ekonomike, etj.
• Shumica e përfaqësuesve të komunave (57%) deklaruan se ishin të përgatitur deri në një masë për ballafaqimin e një situate të tillë pandemike.
• Në përgjithësi, masat e marra nga drejtoritë komunale për të menaxhuar situatën e krijuar nga pandemia Covid-19 përfshinin dezinfektimin e objekteve komunale dhe hapësirave publike, pajisjen e personelit me masa mbrojtëse, uljen e numrit të stafit dhe punën me rotacion. Gjithashtu, në të gjitha komunat u krijua Shtabi Lokal Emergjent.
• Masat e tjera të marra nga drejtoritë specifike ishin rialokimi i buxhetit, hartimi i pakos së rimëkëmbjes ekonomike, ofrimi i informacionit mbi vendimet e Qeverisë për bizneset dhe komunitetin lokal, shpërndarja e pakove ushqimore dhe higjienës për familjet në nevojë, etj.
• Shumica e përfaqësuesve të komunave (71%) deklaruan se kishin bashkëpunuar me të gjitha ministritë e linjës / institucionet e nivelit qendror gjatë përhapjes së pandemisë Covid-19 dhe 55% e tyre ishin “shumë / disi të kënaqur” me këtë bashkëpunim.
• Më shumë se gjysma e drejtorëve komunalë (57%) në këtë studim kanë bashkëpunuar me AKK-në, ndërsa shumica e tyre (82%) ishin “disi / shumë të kënaqur” me këtë bashkëpunim. Bashkëpunimi midis kryetarëve të komunave dhe AKK-së ishte edhe më i lartë (66%).
• Nevojat emergjente ndryshuan sipas specifikave të drejtorive komunale. Sidoqoftë, dy nevoja të përbashkëta emergjente për shumicën e drejtorive komunale ishin nevoja për dizajnimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe ndarjen e fondit emergjent.
• Nevojat e tjera emergjente përfshinin: mungesën e personelit shëndetësor, mungesën e mjeteve teknologjike për realizimin e mësimit nga distanca, udhëzimet e sakta për dezinfektimin e hapësirave publike, rrugëve dhe zonave urbane, etj.
• Sigurimi i masave mbrojtëse, fondet mbështetëse dhe subvencionet për biznese të ndryshme u përmendën si masa që mund të merren gjithashtu nga organizatat e donatorëve, institucionet huadhënëse dhe shoqatat e ndryshme, të cilat do të ndihmonin në menaxhimin dhe tejkalimin e situatës aktuale në komuna.
• Së fundmi, sipas shumicës së drejtorëve komunalë (70%), zyrtarët e tyre kanë nevojë për ndërtim të kapaciteteve / trajnime për tema të ndryshme si menaxhimi i situatave emergjente, siç ishte pandemia Covid-19, planifikimi i buxhetit në situata emergjente, trajnimi për realizimin e shërbimeve online dhe trajnimi i prokurimit, në të cilat shumica e tyre (78%) preferuan të merrnin pjesë përmes pjesëmarrjes fizike, krahasuar me pjesëmarrjen përmes platformave online.

Studimi i dizajnuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës u mbështet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) ndërsa është draftuar në emër të AKK-së nga UBO Consulting.