KFOR-i italian jep donacion për QKUK

04.08.2017 13:23:00

OJQ “Perigeo”onlus ka siguruar donacionin

Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm, KFOR-i italian ka ndihmuar barnatoren qendrore të QKUK/SHSKUK-së me një sasi barnash. Donacioni me medikamente është siguruar nga OJQ “Perigeo”onlus, Macerata në Itali, ndërsa ai është dorëzuar nga ana e nënkolonel Marco Pertile, shef i Zyrës së CIMIC të Grupit shumëkombësh Perëndim (MNBG-W) në emër të komandant Enzo Ceruzzi.

“Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka falënderuar zyrtarët e KFOR-it italian për dhurimin e donacioneve me barna, dedikuar institucioneve nën varësi të SHSKUK-së. Edhe koordinatorja për çështje farmaceutike, Arijeta Stanovci, falënderoi popullin italian, OJQ “Perigieo onlus” dhe zyrtarët e lartë të Grupit Shumëkombësh Perëndim që në vazhdimësi po ofrojnë mbështetjen me medikamente”, thuhet në një komunikatë për medie.

Ndërsa, nënkolonel Marco Pertile shprehu gatishmërinë për ofrimin e donacioneve të mëtejme për SHSKUK-në dhe ka përgëzuar menaxhmentin e lartë të SHSKUK-së lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm.

Ndryshe, donacioni i pranuar, i dedikohet disa klinikave të QKUK-së, dy spitaleve të përgjithshme dhe Shtëpive të Shëndetit Profesional Mendor në Prizren, njësi organizative të SHSKUK-së. Barnat e pranuara donacion janë Ceftazidime, 1g/3ml im, Prednisone, 5mg, Quetiapina 300 mg, Rasagilina 1mg, Cinnarizina dhe Allopurinol.