KGJK-ja miraton listën prej 70 gjykatësve që do jenë në panele hetimore

12.06.2019 14:44:37

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka miratuar, të mërkurën, listën prej 70 gjykatësve që do jenë pjesë e paneleve hetimore të parapara me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokurorëve.

Përzgjedhja e gjykatësve u bë me anë të shortit, pasi që siç tha kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj, paraprakisht propozimet kishin ardhur nga ana e kryetarëve të gjykatave.

Fillimisht, me anë të shortit u zgjodhën 73 gjykatës në total, mirëpo, tre nga ta, përkatësisht gjykatësit Nikollë Komani, Nesrin Lushta dhe Mitro Dimiq, u larguan pastaj nga lista.

Kjo, pasi që pas përzgjedhjes së gjyqtarëve, anëtari i KGJK-së nga radhët e Gjykatës Supreme, Muhamet Rexha tha se këta gjyqtarë janë pjesë edhe e komisionit për vlerësim të performancës, duke shtruar dilemën nëse një gjë e tillë është pengesë ligjore.

Pasi që kryesuesi Çoçaj dhe anëtarët tjerë thanë se të qenit pjesë e paneleve hetimore dhe komisionit për vlerësim të performancës nuk paraqet pengesë ligjore, Rexha tha se do të ishte mirë që gjyqtarët e njëjtë të mos angazhohen në shumë komisione, derisa ka mjaftueshëm gjyqtarë tjerë që nuk janë të angazhuar askund.

Lidhur me këtë, anëtari i KGJK-së, Armend Berisha tha se të qenit anëtar i paneleve hetimore nuk është ndonjë privilegj, por më shumë përgjegjësi, duke shtuar se vetëm propozimet që kanë ardhur nga kryetarët e gjykatave nuk kanë qenë decizive, pasi që për të qenë pjesë e paneleve hetimore janë marr për bazë edhe integriteti i gjyqtarëve, mandati i tyre i përhershëm, të mos kenë qenë të dënuar më parë dhe të mos ketë pasur ndaj tyre të shqiptuar ndonjë sanksion disiplinor, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Pas këtij debati, kryesuesi Çoçaj e hodhi në votim listën prej 70 gjyqtarëve të zgjedhur me short, pa emrat e tre gjyqtarëve, Komani, Lusha dhe Dimiq, listë e cila u aprovua pastaj nga anëtarët e KGJK-së.

Sa i përket zëvendësimit eventual të tre gjyqtarëve që u larguan nga lista, kryesuesi Çoçaj, tha se një gjë e tillë nuk është e domosdoshme pasi që edhe numri prej 70 gjyqtarëve është në kuadër të numrit të paraparë me ligj.

Sipas kësaj liste, 25 gjyqtarë në këto panele hetimore do të jenë me mandat një vjeçar. Gjyqtarët që u përzgjodhën me mandat një vjeçar ishin, Ahmet Idrizaj, Alban Beqiri, Ganimete Puka, Milena Gjeriç, Artan Serjani, Mentor Mullhaxha, Lidija Vucorvic, Sahit Borovci, Shadije Gërguri, Valbona Doverdeli, Agim Maliqi, Robert Tunaj, Sami Sharraxhiu, Faton Ajvazi, Jovica Mitrovic, Tomisllav Petrovic, Bekim Veliqi, Hashim Çollaku, Kimete Kicaj, Ali Kutllovci, Sadije Selmani, Albina Shabani-Ramaj, Isuf Makolli, Burim Ademi dhe Valbona Musliu.

Lista e dytë e gjyqtarëve që u përzgjodhën, e të cilët do të kenë mandat dy vjeçar, përbëhet nga gjyqtarët, Adnan Konushevci, Mevlyde Shabani, Kadrije Gogaj-Lubishtani, Drita Rexha, Aziz Shaqiri, Naime Ahmeti, Behar Imeri, Mustafë Selimi, Gordana Vlackovic, Teuta Krusha, Diellza Hoxha, Radoslav Markoviq, Gazmend Bahtiri, Liljan Stevanovic, Rrustem Thaqi, Prenk Palushaj, Mirosllav Ivanoviq, Lumturije Muhaxheri, Selman Salihu, Arben Mustafaj, Mustafë Tahiri, Snezana Mihajloviq dhe Ajser Skënderi.

Kurse, lista e gjyqtarëve të cilët do të kenë mandat tre vjeçar, përbëhet nga gjyqtarët, Hajrullah Azizi, Alush Sinani, Mentor Bajraktari, Besnik Bislimaj, Venhar Salihi, Ilmi Bajrami, Raime Elezi, Sefer Gutaj, Rifat Bllata, Florije Zadriqi, Lekë Prenaj, Ahmet Rexha, Teuta Ibrahimi, Agim Kuçi, Bekim Salihu, Fejzullah Rexhepi, Alajdin Tërshnjaku, Vesel Gorani, Sahit Krasniqi, Gëzim Pozhegu, Luljeta Maxhuni dhe Malsor Kryeziu.

Gjatë, kësaj mbledhje, Këshilli votoi që si ushtruese e detyrës së gjyqtares mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq, të caktohet Zlatica Vukasinoviq, pas pensionimit të gjyqtares Bojana Trboljevac.

Po ashtu, Këshilli votoi që të shpallet edhe konkursi për caktimin e gjyqtarit mbikëqyrës Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Leposaviq.

Këshilli gjithashtu njëzëri votoi që të dërgohet tek presidenti lista për lirim nga detyra të tre të gjyqtareve të cilët kanë arritur moshën e pensionimit, përkatësisht, gjyqtarët Skënder Shefkiu Branko Deniq dhe Hajriz Lubishtani.

KGJK, gjatë mbledhjes të së martës, unanimisht votoi edhe draft-Udhëzimin Administrativ për Ndarjen e Përgjegjësive të SKGJK-së dhe të Gjykatave në çështjet e Personelit, Buxhetit dhe Financave, Logjistikës dhe Prokurimit, ashtu siç votoi edhe draft vendimin për transferimin e stafit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor në KGJK.

Siç tha kryesuesi, 12 nga stafi i ZPD-së do të vijnë në KGJK, mirëpo disa nga ta, sipas tij, mund të angazhohen edhe në gjykata.