Kiliç në takim me ministrin Demolli: Turqia do të dalë edhe më e fortë nga situata e krijuar

05.08.2016 15:00:16

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës(MFSK), z. Haki Demolli ka pritur sot, në vizitë zyrtare në ministri, ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivilcim Kilic e cila shoqërohej edhe nga atasheu ushtarak i Turqisë në Republikën e Kosovës, kolonel Necdet  Ozdemir.

Ministri Demolli me këtë rast ka falëndëruar ambasadoren Kilic për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë kanë dhënë dhe po japin për Ministrinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Më tej, ministri Demolli duke i shprehur ngushëllime Ambasadores turke për humbjen e jetëve të njerëzve, tha se: ,, Republika e Turqisë është një partner i yni strategjik dhe për këtë ne duam që ajo të jetë stabile dhe në paqe’’.

Në fund, Ministri Haki Demolli duke konfirmuar se bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, shprehu solidaritetin me popullin e Turqisë, të cilët, siç tha Ministri, mbrojtën demokracinë dhe lirinë në vendin e tyre.

Nga ana e saj, ambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës, znj. Kiliç e falënderoi ministrin Demolli për pritjen si dhe për bashkëpunimin e deritashëm në mes dy Shteteve dhe dy ministrive; Ministrisë për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, gjithashtu edhe për solidaritetin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së FSK-së me Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë edhe me popullin turk në përgjithësi.

Znj. Kilic u shpreh optimiste se  Republika e Turqisë do të dalë edhe më e fortë nga situata e krijuar dhe se bashkëpunimi me Kosovën dhe Ministrinë e FSK-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në fund, ambasadorja e Turqisë në Republikën e Kosovës, zonja Kilic u shpreh se: ,,Ne duam që Kosova e bukur të ketë të ardhme të ndritur dhe marrëdhëniet tona, në mes të dyja shteteve dhe dy popujve, të intensifikohen në të ardhmen në të gjitha segmentet e jetës”, thuhet në një njoftim për media.