Kim Jong-un kërcënon Trump: E gjithë SHBA përfshihet në rrezen bërthamore

01.01.2018 12:23:32

Viti 2018 për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka nisur me një kërcënim të fortë për Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe popullin amerikan.

“SHBA nuk do të jetë kurrë në gjendje të nisë një luftë”, është shprehur Kim. Më tej ai ka thënë se në tavolinën e tij ka një buton bërthamor, të cilin mund ta shtypë në çdo kohë.

Gjatë fjalimit televiziv për vitin e ri, ai tha se e gjithë SHBA është brenda rrezes së armëve bërthamore të Koresë së Veriut. “Kjo është realitet, jo kërcënim”, theksoi lideri diktatorial.

Por çuditërisht ai la një derë të hapur për Korenë e Jugut, duke deklaruar se ishte i “hapur për dialog”.

Koreja e Veriut gjithashtu mund të dërgojë një ekip në Olimpiadën Dimërore në Seul, tha Kim.

Ndërkohë, kur u pyet nga gazetarët për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Kim, Presidenti i SHBA, Donald Trump tha, “do të shohim, do të shohim”.

Trump po fliste nga vendpushimi i tij Mar-a-Lago në Florida gjatë festimeve për Vitin e Ri.