Kim Mehmeti, kryetar i jurisë së çmimit Kadare

09.03.2018 23:39:31

Prezantohet dhe romani i tij më i ri “Pusi” Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe do të jetë kryetari i jurisë i edicionit të katërt të Çmimit Kadare, i cili çdo vit i jepet një autori nga hapësirat shqiptare për dorëshkrimin më të mirë në prozë me një çmim prej 10 mijë eurosh, ndarë nga Instituti Europian Pashko.

Lajmi është bërë publik gjatë prezantimit të romanit më të ri të Mehmetit “Pusi” nga botimet Mapo Edition. Anëtarët e tjerë të jurisë janë Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili. Afatet i dorëzimit të dorëshkrimeve është deri në 10 maj, ndërsa fituesi shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës në fund të majit. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari nga Kosova Musa Ramadani.

Romani më i ri i Mehmetit hedhur në treg tregon historinë e një shkrimtari që kërkon të hulumtojë mbi të shkuarën e tij. Ai ftohet të mbajë një kumtesë në një konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij. Ai nuk ka folur asnjëherë për veten, ka bërë dhjetëra romane, ndërsa nuk e ka kthyer asnjëherë vështrimin nga vetja. I njohur si një nga zërat më përfaqësues të letërsisë dhe publicistikës shqiptare në Maqedoni, Mehmeti vjen për lexuesin me një libër të ri vetëm dy vjet pas botimit të romanit “Shpërngulja e të vdekurve”.

Në rrugëtimin për të përshkruar jetën e tij, personazhi kryesor në veprën e Mehmetit, sjell jo vetëm rrugëtimin e një shkrimtari të suksesshëm në Maqedoni, por rrugëtimin e një etnie në kërkim të vetes. “Maqedonia ashtu si pjesa më e madhe e vendeve të ish Jugosllavisë, nuk e kanë mbaruar ende procesin e ndërtimit të kujtesës. Ne dimë shumë pak mbi historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, zhvendosjet e tyre historike, por dhe mënyrën sesi ka funksionuar familja.

Ky është një roman për identitetin, familjen, shkruar lehtë e pa zhurmë, por duke hapur brenda teje teksa e lexon jetë që të kujtojnë të shkuarën tonë. Prej kohësh Mehmeti e ka kthyer letërsinë në një formë për të eksploruar të shkuarën. Nëse I referohemi romanit të tij të fundit, “Pusi” duket si një vazhdim i të njëjtit hulumtim, dhënë me emocionet që ti jep natyrshëm letërsia e mirë. “Pusi nuk është gjë tjetër veçse një “pus” kujtimesh”, thotë redaktorja e librit Alda Bardhyli.

Protagonisti kryesor në libër (shkrimtari)e nis rrëfimin nga fshati në shtëpinë e lindjes, ku ndodhet dhe Pusi që e quajnë si Pusi i Shpendëve i cili në pranverë mbulohej nga trëndafilat, dhe ku nënës së tij i pëlqente të kalonte orë të tëra. “Rikujtimi i shtëpisë së lindjes dhe i pusit në mes të oborrit më ringjall gjithmonë edhe zërin e nënës. Ajo shpesh ulej pranë asaj lulishteje dhe këndonte.

Këndonte aq miklueshëm, sa më dukej se edhe ato i vinte në gjumë, njësoj si edhe ne fëmijëve të saj: duke na dehur me zërin e saj ledhatues, me puthjet e përkëdheljet, që na çonin të shtegtonim atje nga të dukej se kishin ardhur ato miklime të magjishme, në botën e ëndrrave”, shkruan Mehmeti. Vdekja e nënës, zhvendosja e familjes në qytet, dhe dëshpërimi I të atit që kërkon më kot të rindërtojë një pus për të rikthyer paqen e humbur, vdekja më pas e tij, nuk janë gjë tjetër veçse tablo që bëjnë më të plotë etapat e zhvillimit të një familjeje, që nuk është veçse familja e tij.

Kjo është historia e etnie në kërkim të përsosjes së vetes, që vjen rrëfyer bukur përmes personazheve të paharrueshëm për ty si lexues, siç është nëna e autorit. Kim Mehmeti nuk shpik histori të bukura për të bërë letërsi, ai e di që letërsia është më e bukur kur tregohet me histori të thjeshta, por që mbeten gjatë tek ty. Angazhimi i tij në problemet esenciale të shqiptarëve të Maqedonisë ndjehet dhe në letërsinë që shkruan, ku ruajtja e kujtesës është thelbi i saj.