Kina: SHBA po hap zjarr ndaj gjithë botës

05.07.2018 08:23:46

Shtetet e Bashkuara “po i hapin zjarr botës” me tarifat mbi importe, tha Qeveria e Kinës.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar taksa mbi importet nga Kina, në vlerë prej 34 miliardë dollarësh, të cilat pritet të hynë në fuqi të premten.

Trump ka kërcënuar se do të përshkallëzojë konfliktin tregtar me taksa të reja, nëse Pekini hakmerret.

Kina ka thënë se “nuk do të godasë e para”, por e ka bërë të qartë se tarifat e saj mbi mallrat amerikane do të hyjnë në fuqi menjëherë pas taksave të SHBA-së mbi prodhimet kineze.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë, Gao Feng, paralajmëroi se tarifat e propozuara të SHBA-së do të godasin zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar, përfshirë kompanitë e huaja në Kinë.

“Thënë shkurt, SHBA po hap zjarr ndaj gjithë botës, përfshirë edhe veten”, tha Gao.

Trump ka thënë se Kina ka përfituar padrejtësisht nga një jobalancë tregtare me SHBA-në, për vite të tëra.

Administrata e tij ka vënë taksa edhe mbi disa importe nga Bashkimi Evropian dhe aleatë të tjerë, duke thënë se ato janë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Bashkimi Evropian, nga 1 korriku, është përgjigjur me tarifa hakmarrëse.