Kinezët marrin 100% aksionet e aeroportit të Rinasit

07.10.2016 13:21:35

Tirana International Airport (TIA) ka njoftuar sot se China Everbright Limited, një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, merr në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s.

Kështu, që aksionet e aeroportit të vetëm në vend, kalojnë nga gjermanët në duart e kinezëve.

“Me kënaqësi njoftojmë një epokë ndryshimi me China Everbright Limited,” u shpreh Z. Rolf Castro-Vasquez, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s.

“Ortakët tashmë në ikje, AviAlliance, DEG dhe AAEF, si edhe të gjithë punonjësit kanë punuar për zhvillimin e aeroportit dhe me krenari i kanë shërbyer pasagjerëve të tij duke ofruar standarde bashkëkohore. Shpresojmë për zhvillime të mëtejshme me ortakun e ri China Everbright Limited, duke ofruar atë për të cilën kanë nevojë dhe dëshirojnë udhëtarët tanë,” shtoi ai.

Duke filluar nga data 23 prill 2005, e gjithë përgjegjësia për zhvillimin, operimin dhe menaxhimin e Tirana International Airport Nënë Tereza ka qenë në dorën e Tirana International Airport SHPK (TIA).

Në vitin 2005, TIA mori në administrim Aeroportin e Rinasit me një numër pasagjerësh prej përafërsisht 600,000. Më shumë se 70 milionë Euro janë investuar në zhvillimin dhe zgjerimin e Aeroportit.