Kini parasysh se presidenti Rugova do të thoshte: Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundur!

Nga Rexhep Kastrati

Kuvendarët e Kuvendit të Kosovës të të gjitha legjislaturave kanë qenë dhe janë para sfidave dhe momenteve shumë të rëndësishme për vendin. Në fillim ishte sfidë ndërtimi i institucioneve që do të ishin themeli dhe skeleti i shtetit. Pastaj, ishte sfidë që këto institucione të rriteshin, të merrnin sa më shumë kompetenca nga institucionet ndërkombëtare dhe të aftësoheshin që të mund të realizonin vendim-marrje të rëndësishme dhe shumë të vështira. Dhe vendim-marrje të vështir, kuvendarët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë vazhdimisht dhe jo me lehtësi. Mirëpo, pikërisht në këtë vihet në pah karakteri i fortë, lideri dhe personaliteti i fuqishëm i tyre. Lider është ai që është në gjendje të marrë vandime të vështira edhe pse jo shum populiste dhe të kuptueshme dhe të pranueshme nga medësia tribale dhe parapolitike. Dhe presidenti Rugova është pikërisht lideri që duhet të jetë model dhe frymëzim për të vepruar në mënyrë racionale, në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, sepse modeli i liderit që paraqet presidenti Rugova është modeli i liderit që ka pasur parasysh atë që është interesi i vendit, e jo atë që do të binte ndesh me interesat e tij. Dhe ai ka marr vendime shumë të vështira. Në fakt tërë historia e anagzhimit të tij politik ka qenë histori e vendimeve të vështira, dhe që populizmi politik, injoranca politike dhe rekrutët shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare e kanë kritikuar, e kanë paraqitur si vendim-marrje kundërkombëtare dhe e kanë quajtur edhe tradhtar. Mirëpo, presidenti Rugova nuk është marr me këto, por ka vazhduar vendim-marrjen racionale, të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme. Dhe të gjitha vendimet i ka marr në bashkërendim të plotë me SHBA-të dhe aleatët strategjikë, falë të cilëve Kosova dhe shqiptarët arritën që të fitojnë lirinë, të fitojnë pavarësinë dhe janë në rrugë ta fitojnë edhe demokracinë. Dhe koha ka treguar se ata që presidentin Rugova e përbaltnin, vetë ishin të tillë, pra ishin rekrutë agjenturash kundërshqiptare. Dhe të tillët, janë instaluar në skenën politike dhe meditike, dhe në nivele, shtresa dhe struktura të tjera dhe po bëjnë gjithçka që ta çorientojnë politikën dhe shoqërinë tonë me forma populiste të manipulimit të opinionit publik. Dhe një nga qëllimet e çorientimit është edhe shkëputja e bashkërendimit të vendim-marrjes me SHBA-të dhe me aleatët tjerë strategjikë. Populizmi politik, tribalizimi politik, si forma të manipulimit të opinionit për intersa kundërshtetërore, e që do të thotë për interesa kundërshqiptare, për interesa serbo-ruse në Kosovë dhe në rajon. Ka nga ata që kanë probleme edhe me drejtësinë vendore dhe ndrëkombëtare, e që nëpërmjet manipulimit të opinionit publik duan të shpëtojnë veten, ani që vendit i shkaktojnë dëme shumë të mëdha. Edhe emocionet që shkakton çiftelia, lahuta, apo përçyrravja e argatëve të dreqit të kamufluar në vajtues të paguar në emër të së mirës, nuk duhet të ndikojnë në vendim-marrjen e rëndësishme për vendin. Kombi dhe shteti nuk udhëhiqen nga populizmi politik i matrapazëve të ndryshëm politikë, dhe edhe rekrutë agjenturash kundërshqiptare, por as nga emocionet e çiftelive dhe lahutave, por nga pjekuria politike e kuvendarëve dhe e bartësve të institucioneve, nga përgjegjësia dhe përgjegjshmëria e tyre. As kuvendarët, as bartësit tjerë të institucioneve nuk mund të bien në nivel të parapolitikës, të tribalizimit dhe të interesave të politikës së ditës. Dhe presidenti Rugova nuk do të vinte në siklet SHBA-të dhe aleatët tjerë strategjikë, ashtu siç po i vënë disa individë, të cilëve u është besuar të përfaqësojnë vizione dhe alternativa politike të subjekteve të caktuara politike. Cili kuvendar i LDK do të mund t’i dilte kundër presidentit Rugova, apo cili kuvendar i ka rënë kundër presidentit Rugova kur ia jepte Qeverinë  PDK apo AAK-së? Cili kuvendar i LDK i ka rënë kundër presidentit Rugova kur krijonte koalicione me PDK-në dhe AAK-në edhe në kohën kur vriteshin bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë? Po cili kuvendar i LDK çoi zërin, kundërshtoi apo edhe shtroi arsyeshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Beograd – Shkup, me të cilin Kosova humbiste 2000 – 3000 hektarë? Apo atëherë ishte kusht për pavarësinë e Kosovës? Po mirë, pse nuk doli dikush atëherë të kundërshtonte zbatimin e asaj marrëveshjeje me çfarëdo çmimi, siç po bëjnë tash? A kanë mundur të njëjtit të marrin me mend se ambasadori amerikan do të takojë dhe do t’u kërkojë të relizojnë një vendim-marrje të caktuar, sado e vështirë, dhe të njëjtit ta kundërshtojnë? Po të mos ishin SHBA-të, do të kishte bombardime të NATO-s? Do të mund të shpresonim rikthimin në trojet tona? Do të mund të shpresonim në mundësinë e shtetndërtimit? Dhe të gjitha këto ishin edhe pasojë e mbajtjes së premtimit që SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania dhe aleatë tjerë strategjikë ua kishin bërë Nënës Tereze dhe presidentit Rugova. Ishte mbajtje e fjalës së tyre për lirinë, për pavarësinë dhe për demokracinë. Më 10 qershor 2007, ditën kur kujtohej Lidhja e Prizrenit, Xhorxh Bush i Biri dha lajmin e madh: Boll më, Kosova do të jetë e pavarur, duke bërë historinë. Më 2015, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry, do të thotë se sovranitetin e Kosovës e mbrojnë SHBA-të. Dhe ky impenjim dhe përkuushtim i SHBA-ve për Kosovën, është i përmasave globale, i përmasave që nuk mund t’i merrnin me mend shqiptarët dhe Kosova. Dhe SHBA-të bien në siklet nga disa që aksidentalisht gjenden në pozitë vendim-marrëse të rëndësishme dhe me përmasa jo vetëm rajonale, por edhe më gjerë. Dhe këta kanë në dorë që të mos e ndëshkojnë veten me mallkimin e historisë duke mos bërë atë që është e dobishme dhe e domosodshme për vendin, për pozitën e saj rajonale dhe botërore, për kontekstin gjeopolitik e gjeostaregjik dhe me reflektime në raportet e Kosovës me aleatët tanë straegjikë, dhe në raportet e përgjithshme globale. Dhe presidenti Rugova nuk do të lejonte asnjërin që të vinte në siklet SHBA-të, nuk do të vinte Kosovën në një pozitë që të shihet si fatkeqësi për Perëndimin dhe të bëjnë shtete të caktuara të mendojnë vallë a kanë bërë mirë kur e kanë bombarduar Serbinë, kur e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe kur e kanë njohur atë. Presidenti Rugova do të thoshte: Drejtimi i shtëpisë pa miq sëhtë i pamundur!