Kjo është automekanikja që po sfidon meshkujt në Kosovë

01.01.2019 17:00:25

Dorentina Qerimi, 22-vjeçarja nga Ferizaj, po thyen tabutë se profesionet kanë gjini dhe disa punë nuk janë për vajza. Që nga mosha 16-vjeçare ajo punon si automekanike në punëtorinë që është në pronësi të familjes së saj.

Derisa moshataret e saja ishin tërhequr në punë të cilat zakonisht i bëjnë vajzat në Kosovë, Doruntina kishte sfiduar veten me një punë që e bëjnë meshkujt.

“Unë punoj me vetura bashkë me babin. Shkollën nuk e kam përfunduar. Këtë punë e bëj qe gjashtë vjet. Gjithmonë kur babi punonte me vetura unë kam qenë aty prezente dhe e kam ditur se çfarë i nevojitet atij. Me kalimin e kohës e kam kuptuar që më shkon ky zanat. Kam vazhduar praktikat me babin dhe kam realizuar ëndrrën time. Ndihem shumë mirë kur e bëj këtë punë. Në fillim më vinte çudi kur punonte babi dhe pastaj fillova t’i ndihmoj edhe unë atij. Ai më ka dhënë përkrahje për ta bërë këtë punë, nga e cila unë asnjëherë nuk lodhem”, ka thënë ajo.

Dëshirën e Dorentinës për të bërë këtë punë e kishte pritur mirë edhe familja e saj, e cila e kishte mbështetur atë në çdo hap të punës.

Shoqet u befasuan me profesionin e Dorentinës

Për dallim nga familja, vendimin e saj nuk e kishte pritur njëjtë edhe shoqëria e Dorentinës, e cila ishte befasuar nga profesioni që kishte zgjedhur ajo.

Edhe pse hapat e parë të këtij profesioni i kishte marrë nga babai i saj, ajo nuk ka më nevojë për ndihmën e tij. Dorentina nuk e ka problem që vetë t’i rregullojë pjesët e prishura në vetura.

“Para 5 vjetëve babi ka pasur sulm në zemër. Unë vazhdoj ta bëj këtë punë, ndërsa babi bën disa punë më të thjeshta, sepse nuk mundet më të çojë pesha të rënda. Nuk është e lehtë që ta bësh këtë punë. E vështirë ka qenë shumë për mua, por kam dashur vetë ta bëj këtë punë dhe tani ndihem shumë mirë. Mua më ka bërë përshtypje çdo gjë dhe çfarë kam mundur e kam bërë me babin. Tani nuk e kam problem a është ai këtu ose jo, unë çdo gjë e bëj”, ka thënë ajo, për gazetën Zëri.

Ajo ka treguar se është e aftë që të rregullojë çdo defekt te veturat.

“Me teknologjinë e re që ka dalë me kompjuterë nuk jam aq e mirë, por me mekanikë jam e mirë. Unë rregulloj gjithçka, që nga ulja, karriget, xhamat, gomat etj”, ka thënë ajo.

Paragjykimet e klientëve

Derisa jemi mësuar që në Kosovë t’i shohim meshkujt që bëjnë këtë punë, shumë prej atyre që i dërgojnë veturat me defekt te Dorentina çuditen kur shohin se ajo është vajzë.

Dorentina ka treguar se ka pasur raste kur klientët nuk kanë besuar në punën e saj dhe kanë pasur frikë se ajo nuk do të mundë t’i rregullonte defektet që kishin veturat e tyre.

Megjithatë, puna që bën ajo lë përshtypje të mirë, që të gjithë ata klientë të cilët kanë dërguar më parë veturat te ajo të mos e ndërrojnë atë me ndonjë automekanik tjetër.

“Personat që nuk kanë qenë kurrë te ne çuditen kur më shohin. Ka pasur rast kur një konsumator ka pasur frikë dhe nuk ka besuar që unë do të di t’ia rregulloj veturën. Megjithatë, për personat që janë të rregullt te ne kjo gjë nuk është problem. Edhe pse jam vajzë prapë i sjellin veturat te ne”, ka thënë ajo.

Ndonëse ka arritur ta realizojë ëndrrën e saj, Dorentina nuk do të ndalet me kaq.

Ajo ka thënë se do të merret edhe më tej me këtë profesion. Për më shumë, ajo planifikon që të vazhdojë edhe shkollimin në drejtimin Kompjuterikë, në mënyrë që të mësojë edhe më shumë për teknikën më të lartë në automekanikë.

Super-Dorentina, mekanike, banakiere dhe DJ

Edhe pse vetëm 22-vjeçare, Dorentina ka sfiduar veten edhe në dy profesione të tjera.

Përveç punës si mekanike, ajo ka gjetur kohë të punojë edhe si DJ, ku lëshon muzikë në një restorant në Ferizaj.

“Me DJ merrem qe tre vjet. Muzika më shkon shumë mirë, ndihem mirë kur e bëj edhe këtë punë. Kam pasur shumë përkrahje, sidomos në dasma ku kam bërë muzikë. Unë punoj edhe banakiere në një restorant në Ferizaj. Këtë punë jam duke e bërë qe një vit”, ka thënë ajo.