Kllosharizimi politik dhe medietik

10.04.2017 10:48:38

Nga Rexhep Kastrati

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, dje i paska thënë një qytetari – klloshar, dhe kaq kishte mjaftuar që të turren të gjithë kllosharët e medieve dhe të dalin madje edhe me analiza dhe shkrime të tilla që zakonisht bëhen për çështje me rëndësi të madhe për vendin dhe për qytetarët.

Edhe pse nuk di rrethanat në të cilat z. Beqiri i është drejtuar ashtu qytetarit të caktuar, duhet thënë se në politikën dhe mediet tona ka një dukuri që do ta quaja kllosharizim të politikës dhe të medieve. Dhe kllosharizim nuk është t’i thuash dikujt klloshar, e që mund të jetë bërë në afekt dhe në kontekste kauzale, por të ndërtosh gjithë qasjen dhe angazhimin politik mbi një sjellje prej klloshari dhe me retorika po prej klloshari. Po të përdornim rrathët e Dantes, shkalla e këtij kllosharizimi politik do të ishte diku në rrethin e më të rëndë të kllosharizimit të politikës, i barasvlershëm me rrethin e nëntë të Dantes.

Edhe në medie gjendja nuk është aspak më e mirë, sepse jo vetëm që gjendja është shumë katastrofale, e rënduar dhe në nivelet më të ulëta që ka pasur gazetaria te ne, por edhe gradualisht po rrënohet tërësisht si profesion që ka të bëjë me informimin dhe krijimin e opinionit. Njerëz që shiten e që blihen, që lidhje nuk kanë me gazetari dhe që keqpërdorin disa individë që qoftë se kanë nevojë për një pagë, qoftë se u pëlqen kur shohin emrat e tyre në gazeta, në portale, apo në titra televizive, jo vetëm që kanë bërë kllosharizimin e medieve, por edhe kanë dëmtuar shumë kulturën e leximit dhe të komunikimit publik. Pjesa më e klikuar në portale, dhe pjesa më e lexuar në gazeta, fatkeqësisht ka të bëjë me pornogazetarinë ku shfaqen pjesët intime të femrave, tregimet erotike dhe thashëthemet e ndryshme, e që në gazetarinë perëndimore dhe të mirëfilltë, shfaqen me pullë të kuqe dhe me digjiturën +18. Edhe gazetaria senzacionaliste që nuk ka parasysh as anën profesionale, as anën etike, as anën reale të çështjeve të ndryshme, pra gazetaria që nga asgjëja mundohet të krijojë senzacion, po ashtu, është një element i kllosharizimit të medieve te ne.