Klubi i Prodhuesve të Kosovës reagon ndaj skandalit të AQP-së

21.01.2019 13:19:15

Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka reaguar ndaj skandalit që ndodhi në AQP.

Në njoftimin për media, thuhet se edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe, Klubi i Prodhuesve shpreh reagimin ndaj të gjithë atyre institucioneve që nuk po i respektojnë vendimet e ekzekutivit të vendit.

Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme që Agjencia Qendrore e Prokurimit, e cila ka bërë blerje në emër të agjencive të pavarura, ka hapur tender që të blejë produkte të cilat kanë origjinë nga Serbia, përcjell lajmi.net.

Po ashtu në njoftim thuhet se Klubi i Prodhuesve të Kosovës në vazhdimësi ka apeluar ndaj të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që të përkrahin prodhimet vendore në të gjitha blerjet publike.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i japin përparësi prodhimeve vendore gjatë prokurimit publik, dhe kërkojmë që të ndryshohet Ligji për Prokurimi Publik sepse edhe në bazë të MSA-së lejohet që t’i jepet përparësi prodhimeve vendore. Kjo praktikë zbatohet në shumicën e vendeve të regjionit dhe në vendet e BE-së”.

“Ky veprim i Agjencisë Qendrore të Prokurimit e shpreh neglizhencën dhe injorancën që ky institucion ka ndaj prodhimeve vendore dhe përkrahjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit”.

Klubi i Prodhuesve shpreson që qeveria do të marr masat e duhura ndaj këtij veprimi dhe njëherazi kjo të jetë hera e fundit ku prodhimet e huaja të favorizohen dhe prodhimet vendore anashkalohen dhe dëmtohen.