KMDLNJ e konsideron politik rastin e turkut të arrestuar

31.10.2017 10:17:50

Kërkesa për ekstradimin e shtetasit turk, Ugur Toksoy, i cili dyshohet se ka lidhje me lëvizjen opozitare turke të udhëhequr nga Fetullah Gylen, është cilësuar si e motivuar politikisht nga organizata që merren me të drejta të njeriut në Kosovë përderisa autoritetet shtetërore thanë që nuk kanë ende një kërkesë zyrtare për ekstradimin e tij.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se ai nuk ka asnjë kërkesë për ekstradim.

“Çështja siç e dini është në dorën e Gjykatës njëherë për njeherë dhe kur të vie puna për te ekstradimi, unë do ta shoh rastin në tërësi, do të njoftohem me rastin. Zyrtarisht nuk jam i informuar për asgjë lidhur me këtë, jam i informuar vetëm nëpërmjet mediave realisht”, tha ministri Tahiri.

Sipas tij, kjo çështje i përket gjyqësorit, dhe siç shprehet ai, meqë ky është insitiucion i pavarur “nuk i jep llogari ministrit”, por nëse vjen puna deri te ekstradimi, do të njoftohet nga organet kompetente se për çka saktësisht bëhet fjalë.

“.. për çfarë kërkese, cili është motivi i kësaj kërkese që të ekstradohet dhe unë do të marr një vendim konform kësaj situate të krijuar dhe dispozitave ligjore që janë në fuqi”, tha ai.

Por, Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së, thotë se ky është arrestim politik për një vepër që i akuzuari nuk e ka bërë.

“Është një qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit. Kosova mendoj që nuk duhet të zbatojë urdhrat e Erdoganit. Natyrisht që Kosova ka obligim ekstradimin e personave të caktuar, mirëpo në rastin konkret është një kërkesë eksplicite e Erdoganit për të gjithë ata që kanë qenë në anën e Gylenit që të arrestohen dhe t’i dërgohen dhe në këtë kontekst ne e kemi kundërshtuar këtë arrestim se mendojmë që është politik më shumë se që ka vepër penale”, tha Shala.

Ai tutje përmendi edhe kërkesën që i ka bërë Rexhep Taip Erdogan, Amerikës për ekstradimin e liderit opozitar turk në ekzil, Fetullah Gylenit, duke shtuar se Kosova nuk duhet t’i mbajë anë as Erdoganit e as Gylenit.

“Nëse e ekstradon merr përgjegjësi të madhe. Këtij nuk i garantohet gjykim i drejtë, e Kosova nuk mund ta marrë atë përgjegjësi. Bindje ime është se është përpjekje e Erdoganit me i thy të gjitha celulat e Gylenit”, tha ai.

Ai shtoi se nuk e ka vizituar ende të arrestuarin, por se këtë do ta bëjë ditët në vijim meqë KMDLNJ vazhdimisht i viziton të arrestuarit në qendrat e paraburgimitnë ditët e para të arrestimit të tyre për të shikuar nëse ndaj tyre po respektohen të drejtat e njeriut.

Ugur Toksoy, i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 tetor ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit prej 40 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kundër ekstradimit të Toksoy është shprehur edhe avokati i tij, Adem Vokshi.