Koalicion i mbarë edhe për AKR-në, Labinotë Demi-Murtezi dhe Amir Ahmeti i bashkohen kësaj partie

18.05.2017 16:33:24
Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se këtij subjekti i janë bashkuar ish-deputetët, Labinotë Demi-Murtezi dhe Amir Ahmeti.

“Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në zyrat e AKR-së Labinotë Demi–Murtezin si dhe Amir Ahmetin, kryetar i Nismës për Drejtësi dhe Zhvillim, më të cilët ka nënshkruar një marrëveshje për t’iu bashkuar listës për deputetë të Aleancës Kosova e Re për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare 2017. Labinotë Demi-Murtezi dhe Amir Ahmeti, do të jenë pjesë e grupit parlamentar të AKR-së në Kuvendin e Kosovës, bashkë me partnerin e AKR-së LDK-në dhe të tjerët. Për palët e nënshkruara lider i kësaj liste është Behgjet Pacolli”,thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Më tej thuhet se palët janë zotuar se do të respektojnë parimet bazë të kartave ndërkombëtare të drejtave të njeriut, të cilat janë edhe të inkorporuara në Kushtetutën e Kosovës.

Deputetja Labinotë Demi ditë më parë ka njoftuar se është larguar nga strukturat udhëheqëse të Partisë së Drejtësisë.