Koalicionet nuk do ta ndikojnë rezultatin e kandidatëve në balotazh

16.11.2017 14:51:15

Në garën e balotazhit do të këtë ballafaqime të forta në mes kandidatëve që janë pjesë e garës. Kështu kanë thënë analistët kosovarë, duke theksuar se koalicionet e partive politike në raundin e dytë, nuk do të kenë shumë ndikim në rezultatin përfundimtar.

Analisti Imer Mushkolaj, ka theksuar se marrëveshjet ndërmjet partive politike për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale mund të kenë ndikim  te një numër i caktuar militantësh partiakë, por është vështirë sipas tij të ndikojnë tek qytetarët në përgjithësi.

Ai ka thënë për Telegrafin se gara e 19 nëntorit është ‘e nxehtë’, thuajse në të gjitha komunat që janë në balotazh.

“Natyrisht, në komunat më të mëdha rëndësia e garës është më e madhe. Rezultati i partive politike në komuna të mëdha në njëfarë forme determinon edhe peshën e partive në skenën politike kosovare”, ka shtuar Mushkolaj.

Shpend Emini, nga organizata D4D, ka theksuar se marrëveshjet e arritura në mes subjekteve politik, në garën e balotazhit mund të mos rezultojnë me qeverisje të mirë, për shkak të dallimeve sipas tij, të programeve por edhe të mos-pajtimeve dhe akuzave gjatë fushatës para zgjedhjeve të 22 tetorit.

“Koalicionet jo të natyrshme nuk japin rezultate të mira, sidomos kur kihet parasysh se edhe në bastionet kyçe partitë kanë humbur mbështetjen të cilën e kanë pas më herët”, ka theksuar ai.

Sipas tij, pritet një garë e fortë sidomos në komunat, si: Prizreni, Mitrovica e Gjakova, që do jetë  një test për partitë, sidomos pas rezultateve te qershorit.

Ndryshe, të dielën, me 19 nëntor, do të mbahet gara e balotazhi në 19 komunat e Republikës së Kosovës, derisa në 19 tjera gara kishte përfunduar qysh në raundin e parë.