Koalicionet parazgjedhore, FRD s’ka ftesë nga PS, Topi: Kemi komunikim

04.02.2017 21:51:16

Kryeministri Rama duket se e ka bërë një projeksion të parë për 18 qershorin dhe “71” është numri i mandateve që PS, PDIU dhe FRD, sipas kreut të qeverisë, mund të fitojnë pa LSI-në.

Por Bamir Topi, në një intervistë për Top Channel thotë se Fryma e Re Demokratike ende nuk ka një propozim për një koalicion parazgjedhor nga Partia Socialiste.

“Nuk ka ende një ftesë zyrtare, por në politikë njihen edhe komunikimet e tjera, që nuk mungojnë. Ne jemi në koalicion për pushtetin vendor, por nuk kemi një koalicion për pushtetin politik”, deklaron Topi.

Bamir Topi thotë se nuk do të vendosë kushte për të siguruar mandate, apo një post në qeverinë e ardhshme. “Nuk hyjmë në negociata me kushte për t’i vështirësuar ato”, nënvizon Topi.

Ndonëse në 2013-n mori 30 mijë vota, kreu i FRD beson se këtë herë do të sigurojë disa mandate në Parlament.

“Numri i votave zyrtare që FRD ka marrë në 2013-n nuk është i vërtetë. Kjo ka ardhur pas denatyrimit të votës. Kjo do të thotë se FRD do të jetë prezente me një numër jo të vogël në Parlamentin e ardhshëm”, thotë Topi.

Kreu i FRD-së ka kritika për punën e Komisionit për reformën zgjedhore dhe nuk beson se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të sigurojnë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ai komision është praktikisht në shtratin e vdekjes. Është një fjalë shumë e madhe për terrenin shqiptar të thuash “zgjedhje të lira e të ndershme”. Këtu ka një imoralitet politik”, shton Topi.