Koka kundër Qeverisë: Jo taksa për gazin e automjeteve

14.11.2016 16:41:26

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka kërkon që Qeveria të konsiderojë në paketën fiskale, mospërfshirjen e akcizës të gazit të automjeteve.

“Aktualisht, sot në Shqipëri ne kemi përllogaritur një kosto për angazhimin tonë sa i përket zbutjes së efekteve të ndryshimeve klimatike. Shqipëria në Kontributin Kombëtar të Synuar është angazhuar për reduktimin e çlirimit të gazeve. Sot, në Shqipëri vetëm 3% e automjeteve qarkullojnë me gaz. Qeveria shqiptare po konsideron vendosjen e akcizës për gazin. Unë kërkoj të rishikohet ky qëndrim, për këtë lëndë (gazin e automjeteve) pasi në të kundërt duke mos stimuluar përdorimin e tij, ne nuk do të jemi në gjendje të mbajmë këtë angazhim që kemi marrë”, theksoi sot ministri në komisionin e në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku prezantoi edhe Projektbuxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vitin 2017.

“Buxheti i Ministrisë së Mjedisit për vitin 2017, në tërësinë e tij, shënon një rënie krahasuar me një vit më parë, kjo për arsyen se zë ri i sektorit të pyjeve në mesin e 2016-ës kaloi në pronësi, menaxhim dhe administrim të pushtetit vendor. Aktualisht flasim për një buxhet rreth 3.206.000.000 Lekë por presim rritje në disa nga zërat që kemi kërkuar për tu konsideruar, nga 3.589.000.000 buxheti I Mjedisit për vitin 2016” , theksoi ministri.