Kokaina në Durrës, Balla: Pas saj fshihen zyrtarë të lartë në PD, prisni detaje

22.05.2018 16:38:46

E nisi duke ironizuar dyshen Sali Berisha dhe Lulzim Basha për autorësinë e audio-përgjimit për Agron Xhafajn dhe e përfundoi duke i vendosur ish liderin e PD dhe kreun aktual të saj në qendër të një akuze tepër të rëndë, që lidhet me kokainën e sekuestruar në Durrës.

“Tashmë kjo histori ka degraduar në një lojë “e ka kush e ka” autorësinë e përgjimit, Luli thotë e ka Babalja, Babalja thotë e ka gazetari, ndërsa gazetari thotë që autorësinë e ka PD dhe ajo që po rrezikon të dalë nga kjo histori është që autorësia e përgjimit të ngelet jetim në prehrin e Saliut dhe në këtë histori Saliu po na del të dali me tre djem, Shkëlzenin, Lulin dhe Babalen”, tha sot Taulant Balla nga Kryesia e Kuvendit.

Kreu i Grupit të PS shtoi më tutje se Basha dhe Berisha janë futur të dy bashkë “në një valle të rrezikshme”, sa i përket çështjes Xhafaj dhe marrëdhënies së tyre me Albert Veliun.

“Ndërkohë Lulzim Basha është i futur në një aventurë Don Kishoteske nga vetë Saliu për një përgjim, i cili tashmë duket ditën për diell që është një kasetë e stisur e një bisede që nuk ka ndodhur kurrë mes Babales dhe vëllait të ministrit të Brendshëm. Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë është futur nga Berisha dhe garipat e tij, të cilët tashmë, dhe këtu flas për Sali Berishën e ka kuptuar fare mirë që ne e dimë se kush është e vërteta”, u shpreh Balla.

Ai kërkoi që t’i shkohet të vërtetës deri në fund dhe i bëri thirrje Prokurorisë “që në mënyrë sa më të shpejtë dhe në një kohë sa më të shkurtër nga çdo laborator i çdo vendi partner të Shqipërisë në luftën tonë kundër krimit të bëjë ekspertizën  dhe të nxjerrë përfundimin e audio-përgjimit”.

Por Balla, njësoj si kryeministri Rama në Gjirokastër paralajmëroi  se ish-kryeministri Berisha, për shkak të lidhjes së rangjeve më të larta në PD me 613 kg kokaine të futur në banane, i ka imponuar Lulzim Bashës të “luajë” me audio-përgjimin.

“Ne e dimë farë mirë që Bashën në këtë aventurë të rrezikshme është futur nga Sali Berisha për një arsye të thjeshtë, që ka të bëjë drogën, por që ka të bëjë me 613 kg e kokainës të fshehur nën banane. Prisni e duroni ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokaine me persona të rangjeve më të larta të PD. E gjithë kjo po e dëmton Shqipërinë në rrugën e rëndësishme të fazës përmbyllëse të hapjes së negociatave. Kjo është dicka që nuk i bën mirë Shqipërisë megjithëse Basha pa e ditur është futur nga Berisha në një aventurë të rrezikshme”, theksoi Balla.