Kollçaku: Thaçi po merr rolin e diktatorit

04.06.2020 14:16:24

Lëvizja Vetëvendosje po konsideron se veprimi i djeshëm i truprojave të presidentit Thaçi e kanë cenuar demokracinë në Kosovë dhe të drejtën e fjalës së lire.

Nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku përmes një konference për medie tha se me veprimet e këtilla, vendi po rrëshqet në diktaturë.

“Jam këtu për të ngritur një shqetësim, a po rrëshqet ky vend në diktaturë. Pikërisht në këtë shesh dje është privuar fjala e lirë e një të riu, qoftë edhe nëse është aktivist i LVV-së. Fjala për të cilën nuk e di pse edhe u ndjerë i thirrur presidenti, përderisa është thirrur me fjalën hajn. Po edhe nëse ky i ri ka mendua që ky është hajn i vullnetit të qytetarëve”, u shpreh ajo.

Ajo tha se personat e afërt me presidentin Thaçi, pas sulmit siç e cilësoi brutal ndaj qytetarëve u munduan që të përdorin makinacione për t’i shmangur ato.

“Privimi nga fjala e lirë në këtë sheshin e Republikës së Kosovës nga një njëri që tashmë ka marrë rolin e një diktatori që thotë se unë do të godas këndo që nuk mendon si unë”, tha ajo, raporton KP.

Në lidhje me protestën që është paralajmëruar nesër, Kollçaku tha se nuk është e ftuar nga partia e saj, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të thërrasin një të tillë.

“Ne nuk kemi thirru ende protestë, por nuk do të thotë që nuk do të thërrasim protesta. Qytetarët janë të lirë, sheshet janë të qytetarëve. Ky president nuk mund të ndalojë qytetarët të shfaqin pakënaqësitë”, tha Kollçaku.

Dje gjatë konferencës për medie të presidentit Hashim Thaçi disa aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje brohorisin “hajn”.

Më pas njëri prej tyre u shoqërua në Polici të Kosovës, i cili tha se është rrahur brutalisht nga truprojat e Thaçit.