Kolumbi: Qeveria dhe kryengritësit nënshkruan marrëveshje të re

13.11.2016 22:09:29

Qeveria e Kolumbisë dhe grupi i kryengritësve, FARC, e kanë nënshkruar një marrëveshje të re të modifikuar paqësore, në përgjigje të refuzimit befasues të marrëveshjes paraprake në referendum.

Marrëveshja e re, e nënshkruar mbrëmë nga qeveria dhe shefi i negociatorëve kryengritës në Kubë, synon zyrtarisht përfundimin e luftës 50 vjeçare, nga e cila janë vrarë më se 220 mijë njerëz.

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, dhe Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), e patën nënshkruar marrëveshjen paqësore më 26 shtator të këtij viti. Kjo marrëveshje u pranua me mirëkuptim ndërkombëtar, pas shumë viteve të negociatave.

Pas kësaj marrëveshjeje, presidenti Santos e fitoi Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit.

Por, në referendum më 2 tetor, votuesit kolumbianë e hodhën poshtë këtë marrëveshje.

Mbetet e paqartë se në çfarë mënyre marrëveshja e modifikuar do të prezentohet në referendum për miratim.

Sekretari amerikan i shteti, John Kerry, e ka uruar “qeverinë dhe popullin e Kolumbisë për arritjen e marrëveshjes së rishikuar paqësore”.