Komandanti në listën e mashtruesve, Kadriaj: Për ushtarët në komandën time i kam gjitha të dhënat (Video)

24.09.2018 19:38:25

Në listat e veteranëve mashtrues e ka gjetur emrin e tij edhe komandanti i togut të Batalionit të Dytë, të Brigadës 123, të Zonës së Pashtrakut, Haqif Kadriaj.

“Po ju them lirisht (ushtarëve) mos u brengoseni, sepse të gjitha dokumentet i kam prej se ka ekzistuar shtabi në Budakovë e deri në përfundim të luftës më 14 qershor. Kërkoni se asnjë dokument nuk më ka hup, asnjë nuk më është djeg”, tha Haqif Kadriaj për RTV Dukagjinin.

Kadriaj i bën thirrje ushtarëve të tij, që të mos shqetësohen edhe nëse e kanë gjetur veten në listat e veteranëve mashtrues, sepse ai që nga përfundimi i luftës, i ruan evidencat e secilit prej tyre.

“Kam procesverbalet me data, me luftime, me rënie të dëshmorëve, materiali që ka ardhur, kush na ka dhënë kush na ka marrë. Të gjitha i kam. Çdo lëvizje që ka ndodhë e kam regjistruar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Në mesin e dokumenteve që Kadriaj ruan, gjenden procesverbale, të dhënat personale të secilit ushtar, adresa e lajmërimit, përgatitja profesionale, data e hyrjes në ushtri, arma dhe numri i municionit, madje ruan edhe oraret për secilin ushtar se kur ka bërë roje.

Edhe më i habitshëm është fakti, që Kadriaj ka qenë pjesë e Komisionit qeveritar për verifikim e veteranëve, kurse emri i tij është gjetur në listat e veteranëve mashtrues.

Ai tregon se cilat kanë qenë procedurat e vërtetimit të një veterani.

“Nëse ne dëshirojmë të bëjmë ligje që vetëm një person të nënshkruaj listat, nuk mundemi, sepse ekziston zinxhiri komandues ushtarak. Merret komandanti i skuadrës, komandanti i togës, komandanti i kompanisë, komandanti i batalionit, komandanti i brigadës”, ka thënë Kadriaj.