Komandanti Suprem: Kosovë, urime ushtria

13.12.2018 16:24:19
Vetëm një ditë para ndryshimit të mandatit të FSK-së në ushtri të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka inspektuar ushtarët e FSK-së dhe ka mbajtur një fjalim para tyre.

Para shumë ushtarëve dhe eprorëve të lartë të FSK-së, Thaçi ka thënë se rrugëtimi i FSK-së simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit tonë, duke dëshmuar se kemi kaluar nëpër sfida deri më sot, por duke arritur qëllimin, raporton lajmi.net.

“Kosovë, urime ushtria. Sot, ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me dinjitet e krenari po e përfaqësoni Kosovën kudo nëpër botë. Rezultatet e juaja janë të shkëlqyera. Ju po arrini suksese në gara ndërkombëtare, përkrah ushtrive të vendeve më profesionale dhe më të fuqishme të botës. Me punën tuaj, me sukseset tuaja, populli ynë krenohet çdo ditë”, ka thënë ai.