Komedianët e dobët Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq që nuk zbehën dot paraqitjen e shkëlqyer të kryeministrit Mustafa

17.03.2017 12:22:51

Nga Rexhep Kastrati

Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq po vazhdojnë serialin e tyre komik, secili për hespat të vet, por në dëm të Kosovës dhe të shqiptarëve. Pas shfaqjes komike në Beograd, në një konferencë me gazetarë, më 2014, dhe pas episodit tjetër në vitin e kaluar, këta dy aktorë të dobët komikë, edhe në Sarajevë vazhduan lojën e tyre komike. Në të tri rastet bëhet fjalë me konferencë me gazetarë, pra para publikut, që të tërheqë më shumë audiencën, për të paraqitur veten heronj të popujve të tyre. Në të dy rastet, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq u zunë për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës: edhe më 2014, edhe më 2016, njëri bëri heroin duke i thënë në Beograd dhe në Nish se Serbia duhet ta njihte Kosovën, kurse herën e tretë, tash në Sarajevë, nivelin e lojës komike e ngritën në ilaritet më të madh: Vuçiq si xhentelmen ia dha fjalën Ramës, kurse ky i fundit si naks, si patriot nuk ia ktheu të parit dhe kështu, akti i parë përfundoi në këtë mënyrë, duke lënë edhe të tjerët pa folur. Akti i dytë ishte konferenca e i provizuar në korridor, e në të cilën Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq u paraqitën si në filma aksion: Hej, në konferencë kamd ashur të flas për arrestimin e anëtarit të partisë time!, kurse tjetri: Nuk ta kanë arrestuar anëtarn e partisë tate, po fotgrafitë e tua. Dhe kujdes se po nuk e njohe Kosovën do kesh problem. Në fakt, e gjithë kjo skenë ishte aq komike, dhe shkaktoi ilaritet te gazetarët, sa nuk ka ku shkon më tej: të dy bënë Shvejkun, por në fakt dolën lolo ballkanike që bëjnë se zihen, e në fakt aktrojnë. Se kështu aktruan në Beograd, më 2014, e pastaj ia futën shljivovicë e meze, e këngë ekskluzive të shumadinkës nga Ivica Daçiq. Kurse në Beograd dhe Nish, Vuçiq ishte vërtet një lojtar që e bëri lolo Edi Ramën me cinizmin e tij lartësues të këtij të fundit. Dhe Edi Rama si gjeldeti, ngrinte krahët dhe kokën dhe i merrte shumë seriozisht ato që thoshte me cinizëm Aleksandër Vuçiqi. Dhe në fund, doli se Edi Rama kishte vazhduar thikën mbas shpine Kosovës duke realizuar marrëveshje me Serbinë në dëm të Kosovës, e që i kishte filluar me të ardhur në pushtet. Në fakt, edhe teatraliteti komik i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, synonte pikërisht të mbulonte synimet vazale të kryeministrit të shtetit shqiptar ndaj kryeministrit të Serbisë, e që ka të bëjë me projektin serb të modifikuar nga një sistem doganor të përbashkët, në një treg unik rajonal. Kështu pra: 1. më 2014, Edi Rama kishte shkuar në Beograd pasi më parë ministritë përkatëse kishin nënshkruar një marrëveshje për lidhje hekurudhore ndërmjet Nishit dhe Durrësit duke e injoruar Kosovën, kurse në Beograd ishin përgatitur edhe marrëveshje konkrete në këtë drejtim; 2. në Beograd dhe në Nish, vitin e kaluar, thelluan rrjedhën e dëmshme për Kosovën, gjithnjë duke e injoruar Kosovën; 3. Në Sarajevë, Edi Rama paraqet projektin për një treg unik rajonal, e që siç thashë është modifikim i projektit serb për sistem doganor të përbashkët, duke e injoruar sërishmi Kosovën dhe interesat e saj. Ky treg unik, apo ky sistem doganor i përbashkët, në fakt shkon në dëm të Kosovës, edhe për faktin se është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave, si dhe nuk njihet nga Serbia, e që do të thotë se as doganat e Kosovës nuk i njeh si të tilla. Prandaj, edhe kishte rezervat dhe kundërshtimet e tij kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

2

Kur bëhet fjalë për kryeministrin Mustafa, duhet thënë se një nga arsyet e teatralitetit komik të Edi Ramës dhe të Aleksandër Vuçiqit ka të bëjë edhe me përpjekjet për të shpërqëndruar vëmendjen nga fakti se kryeministri i shtetit shqiptar nuk ishte ulur afër kryeministrit të Kosovës, por afër kryeministrit të Serbisë, duke qëndruar kështu, sikurse Vuçiq, përballë kryeministrit të Kosovës. Në kushtet e marrëdhënieve të relaksuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një gjest i tillë i Edi Ramës do të ishte edhe i mirëkuptueshëm, edhe në kufijtë e një mirësjelllje diplomatike, por në kushtet kur Serbia ka angazhuar gjithë arsenalit agjenturor, propagandistik dhe gjithë makinerinë e tij të mundshme për të destabilizuar Kosovën, kur ka urdhëruar serët lokalë të bojkotojnë institucionet dhe kur ka shfaqur hapur një qasje armiqësore ndaj Qeverisë së Kosovës, një veprim i tillë i Edi Ramës, nuk mund të konsderohet se ka qenë veprimi i duhur.

Një arsye tjetër që u shfaq shfaqja teatrore komike e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin ka të bëjë pikërisht edhe me zbehjen e qëndrimit të qartë, të vendsour dhe prej një burrështetasi nga ana e kryeministrit Mustafa, pikërisht në darkën e shtruar nga nikoqiri i këtij takimi. Siç dihet tashmë, përpjekjes arrogante dhe prej të forti të Aleksandër Vuçiqit kundrejt kryeministrit Mustafa lidhur me vendimin për pronat, kryeministri i Kosovës i ishte përgjigjur qetë dhe qartë: Për Kosovën nuk pyetet Serbia që nga viti 1999. Vendimi është një vendim sovran i një shtetit të pavarur. Edhe pjesën zyrtare, kryeministri Mustafa i ishte përgjigjur qartë dhe shkurt pretendimeve të Vuçqiqit në raport me Kosovën, duke ia bërë të qartë se për çështje të brendshme nuk bisedojmë me Beogradin. Dhe këto dy momente që e rrëzuan për tokë krenarinë e sëmurë të Vuçiqit, dhe që e tronditën shumë, ishin momente që patën jehonë qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë, por edhe më gjerë. Dhe shfaqja komike e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiqin, pra mëtonte të zbehte pikërisht këtë. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se lidhur me incidentin në darkën e shtruar nga nikoqiri, Edi Rama ishte shprehur me një frymë minimizuese dhe zhvlerësuese.

Megjithatë, qartësia, vendosmëria dhe qetësia e kryeministrit Mustafa si në darkën e shtruar nga nikoqiri, ashtu edhe në pjesën zyrare të takimit, ishin aq të fuqishme dhe shkrepshme, sa që nuk mund të zbehte asnjë lojë teatrore komike, e lë më dy komedianë të dobët ballkanikë. Në një takim rajonal, që u mbajt me pjesëmarrjen e komisionerit Hahn, e ku Kosova u shfaq si shtet jo vetëm me copën e letrës përpara, por më shumë se kaq dhe më bindshëm, me qëndrime të qarta dhe të vendosura. Në fakt, Kosova, nëpërmjet kryeministrit Mustafa tregoi se është një fakto dhe aktor kyç në të gjitha aspektet dhe kontekstet rajonale dhe më gjerë. Edhe pse pa njohje nga Serbia dhe Bosnja, Kosova reflektoi shtetësi, sovranitet dhe protagonizëm më shumë se çdo shtet tjetër në këtë takim, dhe atë jo me arrogancë, as me retorikë butaforike dhe servile, por me një retorikë të qartë, intelektualiste dhe të qetë.