KOMF apel Kuvendit: Miratoni Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve

25.06.2019 13:31:34

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, mbajti konferencën për media përpara objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku i bëri thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës të miratojë sa më parë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

 Të nderuar përfaqësues të Mediave.

Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve tash e sa vite është inicuar duke mos arritur të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

KOMF bën me dije që gjendja e fëmijëve në Kosovë është e rëndë, prandaj kërkojmë që Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve të miratohet sa më shpejtë, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve. 

Të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasjë në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasim për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.

Duke patur për bazë gjendjen e rëndë të fëmijëve në Kosovë, KOMF kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ta vendosë prioritet dhe të miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format  e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Projektligji ka qëllim  të  garantojë dhe sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës bazuar në interesin më të  lartë të fëmijës si dhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës, për parandalimin dhe përgjigjen efikase ndaj të gjitha formave të dhunës, abuzimit, shfrytëzimit e neglizhimit.

Pas konferencës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dorëzoi tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dokumentin me kërkesën për miratimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Organizatat anëtare të KOMF:

Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof / CIPOF, Education Comes First – ECF, Iniciativa 6, Organizata Rinore Akti – ORA, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKOS , Programi për të Drejtat civile – CRP/ K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore – PVPT, Qendra për Studime te Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës QKRMT, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët në Kosovë – SDSF, Shoqata e Të Drejtave Të Pacientëve në Kosovë – Prak Kosovë, Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des hommes, The Ideas Partnership, VoRAE, World Vision, Public Organization for Local Initiatives and Supports – POLIS, Network of Peace Movement – NOPM, SOS Kopshti dhe Nevo Koncepti.