Komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve ka zgjedhur Bahri Berishën drejtor të ri të Doganave të Kosovës

08.02.2017 12:42:23

Lajmi u konfirmua nga një njoftim për media nga Ministria e Financave, ku bëhet e ditur se propozimi për drejtorin ka ardhur nga ministri, Avdullah Hoti.

Lexo njoftimin e plotë:

“Me datë 06.12.2016 ministri i Financave Avdullah Hoti ka emëruar Komisionin  për shqyrtimin e aplikacioneve dhe përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm për pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Janë pranuar 22 aplikacione bazuar në procesin e datës 02.12.2016, nga të cilët 12 janë ftuar në intervistë me gojë”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Në të gjitha fazat e konkursit, Komisioni ka punuar së bashku me partnerin implementues të caktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar  më 15 gusht të vitit 2016 nga kryeministri i Kosovës, kryetari i Kuvendit dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

“Komisioni në dakordim të plotë me partnerin implementues, më datë 18 janar ka dhënë Rekomandimin për kandidatët më të suksesshëm që i plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm”.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës ushtron këtë funksion nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e mandatit pas tri viteve, me mundësi të vazhdimit të mandatit.