Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve: Në Maqedoni dalje më e ulët në vendbanimet shqiptare

15.10.2017 18:51:29

Në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare.

Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3.480 vendvotime.

Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur.

Votimi për zgjedhjet lokale në Maqedoni po zhvillohet pa probleme, pa u shënuar ndonjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve edhe në konferencën e dytë për media.

KSHZ-ja ka bërë të ditur se deri në orën 13:00, kanë votuar 27.11 për qind e votuesve në nivel shtetëror. Dalje më e ulët e votuesve është shënuar në vendbanimet me shumicë shqiptare.

Në komunën e Tetovës dalja e votuesve është 19 për qind, në Çair të Shkupit, 22 për qind si dhe atë të Likovës vetëm 15 për qind – komuna këto kur dalja në votime ishte dukshëm më e lartë në periudhën e njëjtë kohore gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në vitin 2013.

Ndërkaq, Asociacioni qytetar “MOST” që monitoron procesin zgjedhor me numrin më të madh të vëzhguesve, ka thënë se procesi zgjedhor po realizohet pa pengesa, ndërkohë që është vërejtur hapja me vonesë në gjashtë vendvotime, si dhe në pesë vendvotime janë regjistruar parregullsi më të vogla.

Edhe Nazmi Dauti, sekretar i Këshilli komunal në Tetovë, ka thënë se në komunën më të madhe të banuar kryesisht me popullatë shqiptare, procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe pa probleme

“I gjithë procesi i votimit ka filluar dhe po zhvillohet ashtu siç duhet. Të gjitha vendvotimet në komunën tonë janë hapur me kohë që në orën shtatë të mëngjesit”, ka thënë Dauti.

Gjatë paradites, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, si test shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Maqedonisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, përmes një video -incizimi ka kërkuar nga votuesit që lirshëm dhe pa frikë të shfrytëzojnë të drejtës e votës, ndërsa nga institucionet të ndajnë aktivitetet shtetërore nga ato partiake.

U bëjmë thirrje liderëve politikë dhe anëtarëve të partive t’i zbatojnë zgjedhjet pa frikësim dhe dhunë. Përkujtojmë rëndësinë për ndarjen e qartë mes aktiviteteve shtetërore dhe partiake, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve“, ka deklaruar Zhbogar.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Shkup ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa ka ftuar qytetarët që t’i denoncojnë të gjithë problemet në rast të parregullsive zgjedhore.

“I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, me anë të së cilës ata do të shprehin qëndrimet e tyre për problemet që prekin shoqërinë. Gjithashtu, i inkurajojmë qytetarët, shoqërinë civile dhe mediumet që t’i paraqesin të gjitha problemet në rast të parregullsive zgjedhore”, thuhet në njoftimin me shkrim të Ambasadës Amerikane.

Ambasadori Xhes Bejli në mëngjes ka vizituar një vendvotim në Komunën e Çairit për të parë nga afër rrjedhën e procesit zgjedhor.

Ndërkohë, qytetarët e komunës së Çairit të Shkupit, të cilët kanë dalë për të votuar, për Radion Evropa e Lirë thonë se nga kryetari i ri i komunës presin të angazhohet për zgjidhjen e problemeve konkrete me të cilat përballen qytetarët, siç është rrjeti i kanalizimit, uji i pijshëm dhe sanimi i rrugëve të dëmtuara.

“Duhet të asfaltohen rrugët, kanalizimi nuk është aspak mirë. Të gjitha gjërat këtu nuk janë në rregull. Shpresojmë të bëhet më mirë. Nga kryetari i ri komunës pres me urgjencë të angazhohet që ta zgjidhë çështjen e kanalizimit, sepse kur bie shi, uji na hyn në shtëpi dhe rrugët bëhen të pakalueshme”, thotë Sulejman Abdurrahmani.

Gazi Baba është pjesë e qytetit të Shkupit, por në këtë komunë asgjë nuk ka. Rrugët janë të parregulluara. Mungojnë këndet për fëmijë dhe mendoj se kryetari i ri komunës i prioritet duhet të ketë hapësirat për fëmijët që mos mbeten ata në rrugë”, thotë Kamber Xhaferi.

​Beteja kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministritZoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit.

Dy partitë forcat i kanë përqendruar në Shkup, që përbën thuajse gjysmën e trupit zgjedhor, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

Te partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar edhe ajo në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

Gara kryesore mes partive shqiptare zhvillohet për Çairin (komunë e Shkupit), Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe rreth dhjetë komuna tjera rurale. Në Kërçovë nga partitë shqiptare merr pjesë vetëm kandidati i BDI-së pasi partitë tjera janë tërhequr nga gara për të mos rrezikuar siç kanë thënë këtë që të humbet nga shqiptarët.

Zgjedhjet zhvillohet në dy rrethe zgjedhore, por ato mund të përfundojnë edhe me një rreth nëse ndonjëri nga kandidatët fiton mbi 50 për qind të votave, në të kundërtën dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në rrethin e dytë që mbahet pas dy javëve.

Procesi zgjedhor mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe afër 400 të huaj.

Rezultatet e para nga votimi i sotëm, sipas KSHZ-së,pritet të publikohen nga mesnata.