Kompletohet Ekipi Menaxhues për Asociacionin

16.09.2016 17:50:10

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar sot një takim me shefen e re të Zyrës së BE-së – përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova; zëvendësshefen e Misionit të OSBE-së, Paivi Nikander; dhe ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie.

Gjatë takimit u bisedua për procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja në Bruksel.

Në takim u theksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve dhe u vlerësua se ditëve të fundit është krijuar një atmosferë pozitive në këtë proces.

Gjatë takimit, po ashtu, u bë e ditur se është kompletuar Ekipi Menaxhues, i cili në bashkërendim me institucionet e Republikës së Kosovës, OSBE-në, BE-në dhe me përkrahjen e Ambasadës amerikane, do të punojë në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.