Komuna e Hanit të Elezit, Vitisë, e Obiliqit kërkojnë të ndalet greva dhe të nis mësimi nesër

21.01.2019 00:04:22

Pas Junikut, Deçanit edhe Komuna e Hanit të Elezit, Vitisë, e Obiliqit kërkojnë të nis mësimi nesër.

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi, thotë se nga nesër do të duhej të fillonte mësimi “me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes”.

“Duke përshëndetur reflektimin kaq pozitiv të Qeverisë Haradinaj, karshi kërkesave tuaja, e duke u premtuar përkrahjen time gjithnjë ndaj jush, U ftoi të gjithëve ju mësimdhënës të komunës time, që nga nesër të filloni procesin mësimor me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes”, ka thënë Gashi.

Poashtu, Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti u ka kërkuar mësimdhënësve që të rifillojnë mësimin ditën e nesërme, e hënë 21 janar.Lexo po ashtu:

“Pas reflektimit pozitiv të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritje të pagave në sektorin e arsimit kërkojmë nga mësimdhënësit e Komunës sonë që të rifillojnë mësimin, me qëllimin më të mirë që fëmijët tanë të mos humbasin orët e mësimit. Ne si institucione komunale jemi të përkushtuar që së bashku me ju dhe të gjithë akterët që të mos dëmtohet procesi mësimor’, thuhet në kërkesën e Halitit.

Edhe Komuna e Hanit të Elezit u ka kërkuar mësimdhënësve që të rinisin mësimin.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim Kulturë Rini e Sport në këtë komunë, Menduh Vlashi thotë se pas rritjes së pagave për mësimdhënësit nga ana e Qeverisë së Ramush Haradinajt mësimi duhet të rifillojë.

“Drejtoria për Arsim Kulturë Rini e Sport e Komunës së Hanit të Elezit, pas reflektimit pozitiv të Qeverisë për rritje të pagave, kërkojmë nga mësimdhënësit dhe nxënësit e Komunës tonë që të rifillojë mësimi, me qëllimin më të mirë për mos humbjen e orëve të mësimit nga fëmijët tanë. Ne si institucione komunale jemi të përkushtuar së bashku me ju dhe të gjithë akterët që të mos dëmtohet procesi mësimor”, tha Vlashi.

Gjithashtu, edhe në Mamushë, nesër do të rinisë procesi mësimor.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Abdulhadi Krasniç.

Nëpërmjet një njoftimi, të publikuar në Facebook, Krasniç ka njoftuar se të hënën do të fillojë gjysmë-vjetori i dytë në shkollën fillore “Anadolu”, dhe në gjimnazin “Ataturk”.

Ndërkaq, Qeveria ka vendosur të bëjë rritje të pagave për arsimtarët për 20 milionë euro në vit.

Haradinaj ka thënë se rritja do të bëhet nga 534 euro në 597 për mësimdhënësit në shkolla të mesme, nga 479 në 525 për ata në arsimin fillor dhe nga 447 në 501 te ata në nivelin parashkollor.

Por sipas Sindikatës së Arsimit, greva në arsim do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre.