Komuna e Prishtinës në aksion për lirimin e hapësirës publike (Foto)

09.08.2016 11:03:25

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se Drejtoria e Inspeksionit, sektori i Rendit Komunal, ka ndërmarrë dy aksione të tjera që kanë të bëjnë me lirimin e hapësirës publike si dhe rrënimin e ndërtimeve pa leje.

Sipas një njoftimi, me inspektimet e përditshme në terren, inspektorët kanë konstatuar se në rrugën “Nazim Gafurri”, një lokal ka shtuar pa leje një pjesë të objektit. Rasti tjetër ka të bëjë me shtrim të asfaltit në hapësirë publike, pa poseduar leje nga organi kompetent, duke dëmtuar kështu hapësirën e gjelbëruar.

Në të dy rastet,siç sqaron njoftimi,  Inspektorët e Rendit Komunal kanë urdhëruar paraprakisht palët që t’i heqin të gjitha shtesat pa leje. Meqë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, Drejtoria e Inspekcionit është detyruar që të intervenojë, duke e rrënuar kështu shtesën pa leje në objekt, si dhe duke liruar hapësirë publike për gjelbërim.